Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në Moskë

Moskë, 22 maras 2024 – Shteti Islamik (IS), përmes një deklarate të publikuar në platformën Telegram, e mori pëgjegjësinë për sulmin e armatosur në një sallë koncertesh pranë Moskës, në të cilin u vranë së paku 40 vetë dhe u plagosën mbi 145 të tjerë.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihen persona të armatosur duke hyrë në sallë dhe duke hapur zjarr, përpara fillimit të koncertit.  RIA-Novosti raportoi për së paku tre sulmues të përfshirë në sulm, ndërsa Interfax për së paku pesë. Ende nuk dihet pë fatin apo vendndodhjen e tyre.Por, në deklaratën e IS-it thuhet se sulmuesit “janë tërhequr të sigurtë në bazat e tyre”.

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë informacione të besueshme që konfirmojnë përgjegjësinë e Shtetit Islamik për sulmin. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Rusinë për mundësinë e një sulmi.

“Ne i paralajmëruam rusët në mënyrë të duhur”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncertet”. Ambasada i këshilloi qytetarët amerikanë që “të shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”.

Autoritetet ruse njoftuan se persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” afër Moskës dhe qëlluan me armë automatike në drejtim të turmës që po e ndiqte koncertin e grupit muzikor “Picnic”. Më pas sulmuesit hodhën edhe eksplozivë që shkaktoi një zjarr të madh në ndërtesë. Një pjesë e kulmit të ndërtesës u shemb nga zjarri.

 (r.m.)