Është rikthyer në pikën zero puna për gjetjen e 61-vjeçarit Muharrem Plaku i cili ka mbetur i bllokuar në një nga galeritë e zonës D në minierën e Bulqizës.
Burime nga grupi i kërkim shpëtimit bëjnë të ditur se gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur një tjetër shembje masive në thellësinë 450 metra të minierës, ku dhe dyshohet se është bllokuar tekniku 61-vjeçar.
Puna për gjetjen e trupit të Muharrem Plakut është zhvilluar pa ndërprerje që prej orës 9 të paradites së të mërkurës, ndërsa shpresat për ta gjetur atë gjallë janë drejt shuarjes së plotë.
Familjarë të minatorit vijojnë të presin pranë derës së galerisë me shpresën e gjetjes së të afërmit të tyre.
Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla ka folur sot në lidhje me minatorin e bllokuar prej katër ditësh në minierë, Muharrem Plaku, teksa nuk dihet ende asgjë për fatin e tij.
Alla shpreh shqetësim për situatën rreth kërkimeve dhe thekson se çdo punë dhe angazhim është për të mirën e qytetarëve tanë, por jeta e secilit prej tyre, në qytet apo në fshat, kudo qoftë, vlen më shumë se gjithçka tjetër.
“I shqetësuar pafundësisht për situatën rreth kërkimeve të minatorit Muharrem Plaku.
Çdo punë dhe angazhim i yni është për të mirën e qytetarëve tanë, por jeta e secilit prej tyre, në qytet apo në fshat, kudo qoftë, vlen më shumë se gjithçka tjetër.
Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetëm”, shkruan Alla.
Që më 15 shtator minatori Muharrem Plaku ka mbetur i bllokuar në një nga galeritë e zonës D në Bulqizë. Incidenti erdhi pas një rënie të një masivi minerali.
balkanweb