Tiranë, 15 korrik 2022 – Në Tiranë, këshilli parlamentar i mandateve dhe imunitetit shtyu edhe për një javë tjetër diskutimet mbi vlefshmërinë e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Deputetët e opozitës akuzuan shumicën për zvarritje të qëllimshme të kësaj çështje, që lidhet me vlefshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka, pas dyshimeve për konflikt interesi.
Pas mocionit të parë ndaj mandatit të saj, një grup i dytë deputetësh opozitarë kërkuan shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të deputetes Xhaçka, nisur nga fakti se shoqëria e bashkëshortit të saj përfitoi një vit më parë statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një objekt turistik në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Këshilli parlamentar i dha një javë kohë avokatit të deputetes Xhaçka për të paraqitur argumentet e mbrojtjes. Në seancën e mëparshme ai i qëndroi mendimit se deputetja Xhaçka nuk është në konflikt interesi, dhe se ajo nuk ka përfituar asnjë pronë apo fond publik nga burimet shtetërore.
Deputetja Olta Xhaçka ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ajo ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo thekson se nuk ka përfituar asnjë fond apo pronë nga inventari i pronave të shtetit. Sipas opozitës, Kushtetuta ndalon veprimtarinë financiare të zyrtarëve të lartë me prona shtetërore.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)