Shtyhet afati për lirimin e objektit nga strukturat ilegale serbe në Mitrovicë të Veriut

Prishtinë, 8 shtator 2023 – Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se ka shtyrë afatin për lirimin e objektit komunal, që shfrytëzohet nga strukturat ilegale serbe, deri në pranimin e raportit nga Inspektorati komunal, më së largu deri në 15 ditë.

Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte vendosur që objekti ku ushtrojnë funksionin strukturat ilegale të lirohet më 8 shtator. Por gjatë ditës së sotme, strukturat ilegale që punojnë aty nuk e liruan objektin.

“Inspektorati komunal obligohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, “që mbledhen përmes vizitave në terren dhe komunikimin me të gjitha palët”, thuhet në vendimin e lëshuar nga komuna.

“Inspektorati komunal duhet të sjellë raportin nga pika 1 e këtij neni brenda afatit kohor prej 15 ditësh”, thuhet në vendim.

Të premten rreth mesditës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”.

(r.m.)