Shtyhet ndeshja kualifikuese mes Kosovës dhe Izraelit

Prishtinë, 12 tetor 2023 – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi të enjten se ndeshja e Grupit I kualifikues për Euro 2024 mes ekipit kombëtar të Kosovës dhe Izraelit është shtyrë për kohë të papërcaktuar, si pasojë e luftës së Izraelit me grupin militant Hamas.

FFK-ja tha se u njoftua nga UEFA për shtyrjen e ndeshjes së përcaktuar të zhvillohej të dielën e 15 tetorit në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

“Deri te ky vendim UEFA ka ardhur si pasojë e situatës së krijuar së fundmi në Izrael, ku është shpallur gjendje lufte, e si rrjedhojë autoritetet izraelite aktualisht nuk lejojnë asnjë prej ekipeve sportive të udhëtojnë jashtë vendit”, thuhet në njoftim të FFK-së.

Ajo tha se UEFA e do të njoftojë me kohë për datën e re të kësaj ndeshjeje.

Izraeli shpalli gjendje lufte më 7 tetor, pak orë pasi mijëra luftëtarë të grupit militant, Hamas, i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.

Ata i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael dhe i morën së paku 150 pengje me vete në Gaza gjatë sulmeve.

Ushtria izraelite është duke e bombarduar Gazën që nga dita e hënë, duke bërë që rreth 1.200 palestinezë të vriten gjatë kësaj periudhe.

Izraeli pritej të udhëtonte për Prishtinë të shtunën, me synim për një rezultat që do ta mbante në garë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të verës së ardhshme në Gjermani.

Derisa izraelitët ende kanë shpresa të mëdha, Kosova i ka humbur gjasat për atë që do të ishte pjesëmarrja historike në një turne të madh të futbollit.

Kosova është e parafundit në Grupin I kualifikues me vetëm katër pikë nga gjashtë ndeshje, ndërsa Izraeli ka 11 pikë, vetëm tri pikë larg lideres Zvicrës dhe një pikë larg Rumanisë – dy vendeve që dërgojnë në Euro 2024.

Në përballjen e parë mes vete në këtë grup në Tel Aviv më 25 mars, Izraeli dhe Kosova barazuan 1:1.

(REL)