Nju Jork, 22 nëntor 2024 – Gjykatësi Juan M. Merchan konfirmoi se nuk do të jepet këtë muaj dënimi për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, lidhur me akuzat e për falsifikim të të dhënave të biznesit.
Eshtë bërë e qartë që nga dita e zgjedhjeve se dhënia e masës së dënimit e caktuar për në 26 nëntor, nuk do të kryhej siç ishte planifikuar. Në vendimin e dhënë të premten gjykatësi Merchan nuk caktoi një datë tjetër për dhënien e dënimit.
Në vend të datës, ai caktoi një afat që hetuesit dhe avokatët të vënë në dispozicion propozimet e tyre se si mund të vazhdohet më tej. Ai kërkoi që të dyja palët të depozitojnë propozimet në dy javët e ardhshme se si mund të vijohet nën dritën e rikthimit të pritshëm në krye të Shtëpisë së Bardhë të zotit Donald Trump.
Avokatët e zotit Trump kërkojnë pushimin e menjëhershëm të çështjes. Ndryshe, sipas tyre, do të ndërhynte në tranzicionin dhe detyrat e tij presidenciale.
Prokurorët janë treguar disi të hapur për shtyrjen e dhënies së dënimit deri pas mandatit të tij të dytë, por nuk duan pushimin e çështjes.
Prokurori i qarkut të Manhatanit Alvin Bragg, një demokrat, tha se zgjidhja duhet të sigurojë një balancë mes detyrimeve Presidenciale dhe faktit që verdikti i juries është “i shenjtë”
Zyra e Prokurori Bragg nuk pranoi të komentonte mbi vendimin e dhënë të premten nga gjykatësi Merhchan.
Zëdhënësi i zotit Trump dhe drejtori i ardhshëm i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung e përshëndeti vendimin duke e cilësuar si “një fitore vendimtare” për zotin Trump.
Në muajin maj, zoti Trump u shpall fajtor për 34 akuza në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Zonja Daniels thotë se pati një marrëdhënie seksuale me zotin Trump, në 2006. Zoti Trump ka mohuar të ketë patur raporte intime me të dhe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.
(Zëri i Amerikës)