Tiranë, 27 dhjetor 2023 – Gjykata e Posaçme shtyu për të enjten seancën në tëcilën pritet të merret vendim për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është nën hetim për çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrest shtëpie me mbikëqyrje policore për Berishën.
Seanca e të mërkurës u përqëndrua në shqyrtimin e kërkesave të avokatëve të Berishës. Gjykata e rrëzoi kërkesat e tyre për largimin e gjyqtares Irena Gjoka nga trupi gjykues, për praninë e mediave në seancë dhe për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetet të deputetit për Berishën, duke e hapur rrugë arrestimit të tij.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës të vendosë që masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Berishës ta zëvendësojë me masën “arrest shëpie me mbikëqyrje policore”, pasi Berisha nuk e respektoi masën paraprake.
Avokatët e zotit Berisha thane se gjykata nuk mund të vendosë mbikëqyrje policore apo të kufizojë lirinë e fjalës së tij, për shkak të veprimtarisë politike.
Gjykata e rrëzoi kërkesën e avokatëve të Berishës për largimin e gjyqtares Irena Gjoka nga trupi gjykues. Por, avokatët bënë të ditur see kanë përsëritur këtë kërkesë për herë të dytë.
“E bëmë këtë sepse kjo gjykatë për herë të parë ka hapur një precedent: ajo vazhdon gjykimin me kërkesë përjashtimi të pagjykuar. Po ashtu edhe gjykimi incidental që kërkuam. Të gjithë kërkesat tona janë rrëzuar pa u marrë vendimi për kërkesën e përjashtimit”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Ish kryeminstri Sali Berisha është person nën hetim për procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë. SPAK po e heton Berishën për “korrupsion pasiv”, pasi dyshon se ai e ka favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili ka qenë njëri nga pronarët e truallit, ku më pas është ndërtuar një kompleks pallatesh.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe kthimin e masës “arrest me burg” për Malltezin, e cila u zëvendësua me masën “arrest shtëpie” nga Gjykata e Apelit.
(r.m.)