Prishtinë, 19 qershor 2013 – Kuvendi i Kosovës nuk do të votojë këtë javë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Brukselit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë kërkesë që votimi i marrëveshjes të shtyhet, për shkak të vizitës së tij në Bruksel.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar se kërkesa për shtyrjen e ratifikimit i është drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas konsultimeve dhe marrëveshjes me dy partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ishte planifikuar të futej në rendin e ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës që mbahet të enjten.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, do të takohen të enjten në Bruksel, me ftesë të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton. Ftesa u është bërë për shkak të mungesës së rezultateve të bisedimeve të delegacioneve të të dyja vendeve lidhur me pika të ndryshme të marrëveshjes.
R.M.