Shtyhet sërish seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit

Prishtinë, 21 prill 2025 – Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dështoi sërish të hëntë hënën, pasi propozimi i kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje, Abulena Haxhiu, nuk u hodh fare në votim.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve, kërkoi marrëveshje politike për të dalë nga kriza.

Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të aryeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë. Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë e dështimit të votimit të Haxhiut.

Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve.

Opozita nuk ka ndërruar mendje dhe e kundërshton votimin e kandidatës së saj, Albulena Haxhiu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të mërkurën në orën 15:00.

Kjo ishte përpjekja e katërt e deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi: Haxhiu do të dështojë edhe në seancën e ardhshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike.

Krasniqi bëri thirrje që Vetëvendosje si parti e parë të heq dorë nga tentimet për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit dhe në vazhdimin e seancës të propozojë një kandidat tjetër.

“[Albulena Haxhiu] nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve”, deklaroi Krasniqi.

“Rrugëdalja është tashmë e qartë, LVV-ja duhet ta gjejë një kandidat tjetër”, deklaroi Krasniqi.

Murati: ‘Nuk heqim dorë nga Haxhiu’, të reflektojnë partitë tjera

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, mandatin e kaluar ministër i Financave, Hekuran Murati, arsyetoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit në mungesë të pajtimit mes subjekteve politike për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Murati tha se për konstituimin e Kuvendit duhet reflektim i Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mes tjerash, Murati konfirmoi se LVV-ja do të vazhdojë të mbështesë deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit edhe në vazhdimin e sancës, të mërkurën e 23 prillit.

Bajrami: Lëvizja Vetëvendosje është bllokuesi i vërtetë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mos propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit për ta hedhur në votim.

“Përgjegjësia është e partisë fituese. Nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje, bllokuesit e vërtetë janë Lëvizja Vetëvendosje. Sikur të kishin qenë të interesuar për marrëveshje politike, do të ishin ulur për të folur se cili është emri i pranueshëm”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se LDK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentarin, ashtu siç nuk e kishte votuar Haxhiun në seancën e ndërprerë të së shtunës.

Kusari: Duket se zgjidhja më e pranueshme janë zgjedhjet e reja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partia e saj nuk është duke e bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Duke folur pas dështimit të pestë të seancës konstituive, Kusari tha se, duke e parë “qasjen” e partive të tjera, duhet të ketë marrëveshje për një temë tjetër: zgjedhje të reja.

“T’i thërrasim të gjitha grupet politike, ta konstituojmë Kuvendin dhe të pajtohemi që me 80 vota, ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë menjëherë në zgjedhje. Në rrethanat dhe deklarimet aktuale kjo duket zgjidhja më e afërt dhe më e pranueshme”, tha ajo.

(Radio Evropa e Lirë) 

Comment

*