Shtyhet sërish vendimi për masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha

Tiranë, 28 dhjetor 2023 – Shtyhet sërish vendimi i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.  GJKKO njoftoi se shpallja e vendimit do të bëhet të shtunën, më 30 dhjetor, në ora 12:00.

Gjyqtarja Irena Gjoka tha se shtyrja e shpalljes së vendimit bëhet për t’u dhënë kohë avokatëve që kërkuan sot të njihen me regjistrimet audio dhe me procesverbalet e seancave të fundit të zhvilluara në GJKKO.

Mbrojtësit ligjorë të ish kryeministrit Berisha prentendojnë se gjyqtarja Gjoka ka qenë e njëanshme ndaj kërkesave të tyre, andaj kanë kërkuar marrjen në dispozicion të materialeve audio dhe të procesverbaleve të seancës.

“Seanca shtyhet për ditën e shtunë në 30 dhjetor, për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues” njoftoi GJKKO.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, në përfundim të seancës, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj, e argumentoi kërkesën për marrjen e provave nga GJKKO.

“Kemi marrë brenda afatit ligjor provat që do të shoqërojnë kërkesën tonë, provat që ne mendojmë se e mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Janë ato prova të cilat provojnë njëanshmërinë e gjyqtares”, tha Gokutaj.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës ashpërsimin e masës së sigurisë, për shkak se Sali Berisha nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës që e detyronte atë të paraqitej në prokurori të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

SPAK kërkoi masën e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje policore për Sali Berishën.

Ish-kryeminstri Berisha është person nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë. Ai dyshohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”. Sipas SPAK-ut, dyshohet se Berisha e ka favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezin, i cili ka qenë njëri nga pronarët e truallit, ku më pas është ndërtuar një kompleks pallatesh.

(r.m.)