Nju Jork, 26 prill 2024 – Votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet më 2 maj, tha ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Lagumxhija për televizonin N1.
“Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e OKB-së kanë propozime të tjera për tekstin. Asambleja e Përgjithshme me gjasë do të mblidhet pas 6 majit, varësisht nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën”, tha ai.
Siç tha ambasadori, misioni i Bosnje e Hercegovinës në OKB do të marrë pjesë në këtë diskutim në mënyrë që t’iu shpjegohet më mirë teksti i rezolutës të gjitha shteteve që kanë paqartësi.
Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Siç është njoftuar në ueb-faqen e OKB-së, konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në draft-rezolutë, në të cilën më herët ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjigjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.
(Radio Evropa e Lirë)