Intervistë e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.
Bisedoi: Denion Ndrenika
Intervista u krye në prag të ndeshjes së dytë të Kombëtares së Shqiptarëve me skuadrën e Kosovës në 13 nëntor 2015 në stadiumin e Prishtinës
-Sekretari Shulku, Shqipëria përballet me Kosovën për herë të dytë që nga viti 2002. Çfarë përbën kjo për të dy skuadrat, njera tanimë e njohur dhe pjesmëarrëse në “Euro 16” dhe e dyta në rrugën e njohjes ndërkombëtare?
-Ilir Shulku: “Kjo është një ndeshje miqësore, ose për ta shqipëruar më mirë, është një ndeshje vëllazërore.
Ky është një event, pasi siç dihet Shqipëria është kualifikuar për në “Euro 2016”. Prandaj, është menduar që me të gjithë festat që janë organizuar në Shqipëri për këtë event të Kombëtares shqiptare, padyshim që nuk do të harrohej Kosova që ky gëzim të kremtohej edhe në Prishtinë, në Kosovë.
Ndaj është menduar që me këtë rast të zhvillohej një ndeshje miqësore midis dy kombëtareve të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kështu që mendoj se është një event do të thoja vetëm moral dhe për të festuar edhe në Kosovë daljen në Europian”.
-I ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit përgatitjet për këtë ndeshje? Po nënkuptoj anën infrastrukturore, takimet e ndryshme që do të bëhen atje dhe pse jo organizimin festiv? Natyrisht, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.
-Ilir Shulku: “Të gjitha këto që thatë ju janë pjesë që po merret Federata e Futbollit të Kosovës.
Siç e dini, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës dhe me pjesën organizative, pra të organizimit të ndeshjes, është marrë Federata e Futbollit të Kosovës.
Ekipi i Kombëtares Shqiptare do të shkojë në Kosovë në datën 12, një ditë përpara ndeshjes.
Atje do të zhvillojë një stërvitje dhe do të ketë një darkë të përbashkët të të dy skuadrave dhe të të dy delegacioneve.
Dhe, ditën e nesërme, do të organizohet ndeshja siç është planifikuar në orën 2 (14:00 me kohën e Prishtinës dhe Tiranës, minus 6 orë me Nju Jorkun. v.j.)”.
-13 nëntori është pothuajse 1 muaj, edhe dy ditë nga kualifikimi i Shqipërisë me fitoren 3-0 në Erevan me Armeninë vendase. Kjo, ndeshje me Kosovën, është një mundësi veç festës, për të kujtuar që një pjesë e madhe e Kombëtares së Shqiptarëve vjen nga trevat jashtë territorit politik të Shqipërisë?
-Ilir Shulku: “Atëherë, pyetja që ju bëni është e drejtë. Po, është menduar që kjo ndeshje të zhvillohet në Kosovë për të gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë për Kombëtaren Shqiptare, që janë nga trevat e Kosovës e më gjerë. Kjo e përmbush pyetjen që ju bëtë”.
-Sekretari Shulku, në tërësi si janë marrëdhëniet e Federatës Shqiptare të Futbollit me Federatën e Futbollit të Kosovës?
-Ilir Shulku: “Dihet që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Kanë qenë, janë dhe do të jenë! Ne jemi pothuajse… Siç e thashë, ndeshja është quajtur jo miqësore, por “vëllazërore”. Kështu që ne jemi dy federata vëllazërore, do ta quaja”.
-Do të vazhdojë me këtë ritëm në rritje politika e Federatës Shqiptare të Futbollit për të pranuar çdo lojtar që është shqiptar, pavarësisht se nga vjen?
-Ilir Shulku: “Nuk ka patur asnjëherë kufizime. Dyert e Kombëtares Shqiptare kanë qenë gjithnjë të hapura për çdo lojtar, i cili ka kërkuar ose ka dëshiruar të jetë pjesë e Kombëtares Shqiptare të futbollit.
Kështu, që edhe në të ardhmen kjo rrugë është e hapur për këdo”.
-Mendoni se pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA, sikurse ka thënë edhe presidenti Armand Duka, të dy federatat do të kenë mundësi pse jo, për të ndërtuar një skuadër të përbashkët, apo pse jo nëse do të jetë e mundshme një strukturë të përbashkët federative?
-Ilir Shulku: “Ndoshta kjo mund të jetë një gjë që do të rishikohet në të ardhmen.
Por, për momentin është punuar fort edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit që Federata e Futbollit të Kosovës të aderojë në FIFA dhe në UEFA.
Dhe, në momentin që do të jetë pjesë e FIFA-s dhe e UEFA-s, që unë shpresoj që do të jetë dhe është shumë e shpejtë dita kur Kosova do të bëhet pjesë e organizmave ndërkombëtarë, kjo kombëtare të forcohet sa më shumë.
Sepse, do t’i shërbejë siç e thashë, të gjithë njerëzve, shqiptarëfolësve në të gjithë botën që e ndjekin futbollin”.
-Padyshim që mbledhja e lojtarëve i takon trajnerit Xhani de Biazi. Por, a pret federata që të jenë të gjithë në Prishtinë?
-Ilir Shulku: “Lista pothuajse është publikuar dhe trajneri ka grumbulluar një pjesë të madhe të lojtarëve, të cilët kanë qenë pjesë e grumbullimeve dhe aktivizimeve të ndeshjeve të fundit.
Kështu që nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka asnjë dëmtim, asnjë lojtar i cili mungon për problemeve të tilla dëmtimesh. Janë afruar dy lojtarë të rinj, kështu që grupi është i plotë”.
-Për finalet europiane “Francë 2016”, Shqipëria do të jetë thjesht kalimtare me pjesëmarrjen apo me mundësinë për të kapur qoftë edhe 1 pikë? Ne kemi rastin e Skënderbeut të Korçës që nga ekipi i fundit në grupin e Ligës së Europës, pati një përballje të mirë dhe fitoi me Sportingun e Lisbonës 3-0. Kjo, gjendje entuziaste është edhe me Shqipërinë dhe me mundësitë e saj?
-Ilir Shulku: “Pyetja është shumë reale, shumë e vërtetë. Federata Shqiptare e Futbollit, Ekipi Kombëtar në Francë nuk do të shkojë për piknik.
E kemi thënë që ditën që jemi kualifikuar. Mendoj që do të ketë surprizë.
Ndoshta për këdo ka qenë surprizë dalja jonë, pjesëmarrja e Ekipit Kombëtar Shqiptar në Europian.
Mendoj që surprizat do të vazhdojnë. Ky është një Ekip Kombëtar shumë i motivuar.
Stafi dhe ekipi janë të bindur që nga kjo Kombëtare mund të merret akoma edhe më shumë.
Kështu që në Francë do të shkohet padiskutim, që prioritet jetë që të kemi primar hapin e parë, pra që të kalojmë grupin”.
-Mendoni Shulku, se një numër i lojtarëve që i kërkon Shqipëria dhe Kosova mund të përbëjnë ndoshta ndonjë lloj problematike fillestare mes të dy skuadrave?
-Ilir Shulku: “Jo, nuk e mendoj. Nuk e mendoj këtë, sepse ashtu sikurse e thash më lart, çdo lojtar ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e vet.
Dhe, në momentin kur një ekip, pra kur ai mendon që do t’i shërbejë këtij Ekipi Kombëtar Shqiptar në maksimumin e tij, mendoj që është detyrë për t’i shërbyer Ekipit Kombëtar Shqiptar.
Kështu që përderisa zgjedhjet janë personale…
Mendoj që të gjithë lojtarët që kanë një kohë të gjatë që i kanë shërbyer Ekipit Kombëtar, sepse edhe unë kam qenë vetë lojtar i Ekipit Kombëtar, kam luajtur edhe unë një kohë të gjatë, ndaj dhe nuk mendoj që do të ishte i mirë ndërrimi i Ekipit Kombëtar.
Megjithatë po e përsëris për të disatën herë që është zgjedhje personale.
Nnëse dikush mendon që nesër do të shkojë të luajë për Kosovën, nuk ka asnjë problem”.
-Çfarë ka ndryshuar tek Ilir Shulku si lojtar, si zyrtar federate, përfshi edhe periudhën e tij si anëtar i Ekipit Kombëtar?
-Ilir Shulku: “Janë tri gjëra të kundërta, ose që kanë ndryshim. E përbashkëta është që të treja janë me futbollin.
Kurse të kundërtat, të ndryshmet, do të thoja janë se kur je lojtar në fushë përgjigjsh vetëm për veten tënde dhe je pjesë e një grupi si dhe mundohesh të japësh maksimumin për të arritur një rezultat, për të arritur objektivin tënd në jetë.
Kurse, kur je në rolin e trajnerit, unë kam qenë edhe trajner, duhet të menaxhosh jë grup të tërë. Pra, është goxha punë e vështirë!
Ndërsa sot që jam në rolin e administratorit të FSHF-së është akoma edhe më vështirë, sepse këtu ke të bësh me menaxhimin e thuajse të tërë sektorëve të federatës, ku janë ana teknike, ekonomike, administrative në çdo aspekt.
Kështu që në këtë eksperiencë pune që unë kam si lojtar, trajner dhe sot Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, mendoj që puna më e vështirë për mua, që e bëj edhe me më pasion, tashmë, me goxha pasion është kjo që bëj tani”.
-Ilir, faleminderit për bisedën me gazetën “Illyria” në Shtetet e Bashkuara!
-Ilir Shulku: “Faleminderit edhe ju dhe punë të mbarë”!