Uashington, 28 prill 2023 – Shumë figura të famshme, përfshirë shkrimtarë dhe aktorë, kanë nënshkruar një letër të hapur ku i kërkojnë Presidentit rus Vladimir Putin të lirojë politikanin opozitar Alexei Navalny dhe t’i japë fund asaj që ata e quajnë, torturim të tij në burg.
Shkrimtarët fitues të çmimit Nobel, Svetlana Alexievich, JM Coetzee, Herta Mueller, Orhan Pamuk, Olga Tokarczuk dhe Mario Vargas Llosa, ishin mes atyre që nënshkruan letrën.
Zoti Navalny, një ish-avokat që u bë i njohur për shkak të kritikave ndaj njerëzve të afërt me zotin Putin, duke i akuzuar ata për korrupsion madhor, po vuan nje dënim prej më shumë se 11 vitesh i akuzuar ndër të tjera për mashtrim. Ai thotë se akuzat ndaj tij u sajuan për ta parandaluar atë që të sfidojë Presidentin Putin, një akuzë që Kremlini e ka hedhur poshtë.
Autoritetet ruse thonë se zoti Navalny dhe mbështetësit e tij janë ekstremistë, me lidhje me Agjencinë Amerikane të Inteligjencës, CIA-n, që synojnë të destabilizojnë Rusinë. Ata e kanë nxjerrë jashtë ligjit organizatën e tij dhe zoti Navalny tashmë po përballet me akuza të reja, që mund t’i shtojnë vitet e burgimit.
Javët e fundit mbështetësit e zotit Navalny janë shprehur gjithnjë e më shumë të shqetësuar për shëndetin e tij. Ata druhen se ai mund të vdesë në burg. Ata thonë se ai ka patur dhimbje të forta në stomak dhe ka rënë në peshë.
“Ai është kthyer vazhdimisht në birucë, i mbyllur në një qeli betoni, pa ajrim”, thanë nënshkruesit e letrës, mes të cilëve balerini Mikhail Baryshnikov, aktorët Jude Law dhe Benedict Cumberbatch, si dhe shkrimtarët Margaret Atwood, JK Rowling dhe Salman Rushdie.
“Vizitat nga të afërmit dhe telefonatat janë të ndaluara, privilegji që gëzon ai për të folur me avokatin e tij i është mohuar. Pavarësisht se ka temperaturë, ai duhet të qëndrojë në këmbë gjatë gjithë ditës”.
Ata thanë se po i bashkonin zërat e tyre në këtë letër me ato të mjekëve rusë, që kishin kërkuar kujdes të menjëhershëm mjekësor për zotin Navalny apo me zërat atyre avokatëve dhe deputetëve rajonalë rusë, që kërkonin t’i jepet fund asaj që ata e quajnë “torturim” të zotit Navalny.
Kremlini ka refuzuar të komentojë mbi trajtimin e zotit Navalny ose gjendjen e tij shëndetësore, duke thënë se kjo është një çështje e shërbimit të burgjeve, zyrtarët e të cilit kanë thënë në të kaluarën, se po i ofrojnë atij, të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Zoti Navalny fitoi admirim nga opozita për kthimin vullnetar në Rusi në vitin 2021 nga Gjermania, ku ai u trajtua për atë që testet laboratorike perëndimore treguan se ishte një përpjekje për ta helmuar, me një agjent nervor në Siberi.
Kremlini mohoi se kishte bërë përpjekje për ta vrarë atë dhe tha se nuk kishte prova se ai ishte helmuar me një agjent nervor.
(Zëri i Amerikës)