Moskë, 30 shtator 2022 – Gjithnjë e më shumë vende të botës po u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen urgjentisht nga Rusia.
Shtetet e Bashkuara, Italia, Lituania, Bullgaria, Gjermania, Rumania, Polonia, Estonia, Letonia, Portugalia, Danimarka e Kanadaja i kanë udhëzuar shtetasit e tyre që të largohen nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur, me çdo mjet të transportit që kanë në dispozicion.
Disa prej këtyre shteteve e kanë bërë këtë menjëherë pas vendimit për mobilizim të pjesshëm për të luftuar në Ukrainë, nga frika se qytetarët e tyre që ende jetojnë, punojnë ose studojnë në Rusi mund të rekrutohen për luftë kundër vullnetit të tyre. Ata paralajmërojnë shtetasit e tyre se, nëse ndodh kjo, askush nuk do të jetë në gjendje të bëjë shumë për ta diplomatikisht.
Gjithashtu, qarkullojnë informacione se Rusia mund t’i mbyllë kufijtë e saj, për të parandaluar arratisjen e qytetarëve të saj që duan të shmangin mobilizimin, gjë që do të pamundësonte ose do të vështirësonte largimin e tyre nga Rusia.
Të enjten, Ambasada e SHBA-së në Moskë i paralajmëroi qytetarët amerikanë me shtetësi të dyfishtë që jetojnë në Rusi se Rusia mund t’ua mohojë atyre njohjen e shtetësisë amerikane, t’ua mohojë aksesin në ndihmën konsullore të SHBA-së, t’i pengojë të largohen nga Rusia dhe t’i rekrutojë për shërbimin ushtarak.
Shumë ambasadorë dhe shtetas të huaj u larguan nga Rusia në muajin shkurt, në prag të agresionit rus ndaj Ukrainës. Në shumicën e ambasadave ngeli vetëm stafit të domosdoshëm.
(r.m.)