Beograd, 31 gusht 2022 – Një ditë para se Kosova dhe Serbia të nisin reciprocitetin për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për qytetarët e tyre që kalojnë kufirin midis dy shteteve, Serbia ka vendosur në pikëkalime kufitare një njoftim.
Në pikëkalimin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, në anën e Serbisë, janë vendosur njoftime ku thuhet se me mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike” që të bëhet më e lehtë liria e lëvizjes, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që palët arritën në dialogun e Brukselit më 2011.
“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi për të drejtat e dhëna nën Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e vendosur pranë pikave të kontrollit kufitar.
Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje. Serbia për 11 vjet ka lëshuar dokumente të tilla për shtetasit e Kosovës me të hyrë në territorin e Serbisë. Këtë pjesë të Marrëveshjes së lirisë së lëvizjes së vitit 2011, Kosova e aplikoi vetëm për disa orë më 1 gusht.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për dokumentet për hyrje-dalje dhe ai për riregjistrimin e makinave me targa serbe, rriti tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit, që kulmuan me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.
Por, pasi serbët lokalë hoqën barrikadat pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për 1 shtator.
Për këto dy vendime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian. Por, ky rund përfundoi pa marrëveshje.
Megjithatë, diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian shtuan përpjekjet e tyre për të bindur palët që të shmangin tensionet më 1 shtator.
Në këtë kuadër, Kosovën dhe Serbinë e vizituan i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Pak ditë pas vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd, BE-ja njoftoi për marrëveshjen e arritur për dokumentet e udhëtimit.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PR, PZ, KM, UR e të ngjashme – të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të tilla do të mund t’i riregjistrojnë ato në targa RKS – Republika e Kosovës.
Serbia ka kërkuar që serbët në veri të Kosovës të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, kryeministri Kurti ka hedhur poshtë një propozim të tillë.
Vetë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë më 29 gusht, ka pranuar se çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur.
Në pyetjen nëse po shtyn përpara idenë për targa neutrale ndaj statusit, Borrell është shprehur se: “Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”.
(REL)