Uashington, 17 nëntor 2023 – Një anketim i ri në Shtetet e Bashkuara e tregon në avantazh ish-Presidentin Donald Trump në një përballje elektorale me Presidentin Joe Biden në shtetet kryesore për zgjedhjet e vitit 2024. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, votuesit shprehin shqetësimet e tyre për moshën e madhe të Presidentit Biden dhe për ekonominë, si dhe shqetësimet e reja për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.
Votuesit amerikanë janë të pavendosur një vit përpara votimeve për zgjedhjen e presidentit. Dhe Shtëpia e Bardhë është tashmë në dijeni.
Një anketim i ri i gazetës The New York Times dhe Kolegjit Siena parashikon se zoti Trump do të fitonte përballë zotit Biden në pesë nga gjashtë shtetet e lëkundura. Anketuesit pyetën rreth çështjeve të zakonshme: abortin, ruajtjen e demokracisë, ekonominë, sigurinë kombëtare dhe emigracionin, por edhe se si e shohin votuesit menaxhimin nga Presidenti Biden të konfliktit Izrael-Hamas.
Të shtunën, dhjetëra mijëra protestues i bënë të qarta ndjenjat e tyre për këtë çështje duke u mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me mbështetjen e Presidentit Biden për Izraelin.
Ai ndërkohë po udhëton në mbarë vendin për të paraqitur punën e administratës së tij për përmirësimin e jetës së amerikanëve. Të hënën, në shtetin e tij Dellauer, ai lavdëroi një projekt zhvillimi prej 16 miliardë dollarësh përgjatë bregdetit të Atlantikut.
“25 projekte të ndryshme, të gjitha për të ndërtuar korridorin verilindor, nga Bostoni në Uashington, janë pjesë të axhendës time për të investuar në Amerikë. Dhe kam luftuar për këtë për një kohë të gjatë”, tha Presidenti Biden.
Është një paraqitje e ndryshme nga ajo e zotit Trump. Ai foli të hënën kur mbërriti në Nju Jork për të dëshmuar në një proces gjyqësor civil, të ngritur mbi akuzat se ka ekzagjeruar vlerën e pasurive të tij. Ai thotë se 91 akuzat e ngritura ndaj tij, në katër juridiksione të ndryshme, janë të motivuara politikisht.
“Shifrat e tyre në anketime janë të tmerrshme. E patë sot në gazetën New York Times dhe e njoftoi edhe kanali CBS. Unë kryesoj ngado. Por është një situatë shumë e padrejtë. Kjo është vërtet ndërhyrje në zgjedhje. Është disi qesharake”, tha ish-Presidenti Trump.
Anketuesit thonë se nuk duhet të vijë si befasi fakti që amerikanët janë thellësisht të dyzuar– megjithëse pati edhe pikëpyetje për këtë anketim. Amerikanët votojnë këtë javë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre shtetërorë dhe lokalë, si dhe për të vendosur për disa iniciativa ligjore.
“Kushdo që ka ndjekur nga afër politikën në Amerikë gjatë viteve të fundit, pret që të jetë një garë e ngushtë. Anketimet kanë treguar vazhdimisht se do të jetë rezultat i ngushtë. Mendoj se ky anketim dallon nga të tjerët. Tregon më shumë mbështetje për Trump-in në disa shtete, në dallim nga shumë anketime të tjera”, thotë anketuesi demokrat Mark Mellman, që drejton gjithashtu organizatën “Shumica Demokrate për Izraelin”.
Ai thotë se anketimi tregon gjithashtu një konsensus të rrallë në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme – të dy kandidatët mbështesin me vendosmëri Izraelin.
Shumë analistë thonë se parashikimet e bëra kaq herët nuk ndihmojnë.
“Personat nga fushata elektorale e zotit Biden me të cilët kam folur, më kanë thënë se, pikë së pari, është tepër herët. Së dyti, ata mendojnë se kur të vijnë zgjedhjet e përgjithshme, do të jetë një zgjedhje mes Joe Biden-it dhe Donald Trump-it; ata mendojnë se do e marrë Joe Biden-i pasi njerëzit nuk duan të rikthehen tek kaosi i viteve të Trump-it”, thotë Todd Belt, nga Universiteti “George Washington”.
Por a shqetësohet Presidenti Biden për mundësinë e fitores së ish-Presidentit Trump? Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, zyrtarët e fushatës elektorale të Presidentit Biden shprehen se “nuk shqetësohen për një anketim”.
(Zëri i Amerikës)