Si po e zvogëlon Serbia numrin e shqiptarëve në Preshevë?

Pakica shqiptare në jug të Serbisë është nën presion. Autoritetet e vendit po fshijnë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit nga regjistrat e popullsisë. Mijëra prej tyre po mbeten kështu pa shtetësi.

Kur Safet Demiri, në gusht të vitit 2019, deshi të rinovonte regjistrimin e makinave të tij të biznesit, i thanë: “Ju nuk jeni më në regjistrin e adresave”.

Demiri është lindur në Medvegjë (Serbi) dhe familja e tij ka 200 vjet që jeton aty. Ai i ka disa prona në vendin e lindjes, ndër to një hotel turistik dhe një kompani telekomunikacioni. Por, ai jeton edhe në Vjenë të Austrisë, ku ka një kompani ndërtimi. Që nga viti 2019, atij i mohohet e drejta e një adrese në Medvegjë.

“Si mund të kujdesem për bizneset e mia, pa adresë?” i tha Demiri nëpunësit.

Si përgjigje ai mori një ngritje supesh.

46-vjeçarit iu desh të gjente një zgjidhje të përkohshme dhe e bëri regjistrimin në emër të të jatit. Ai u përpoq ta kërkonte të drejtën e tij duke e kundërshtuar vendimin në Gjykatën Administrative të Nishit, por pa sukses.

“Vendbanimi juaj është jashtë shtetit, kështu që fshirja nga regjistri ka qenë e drejtë”, ishte arsyetimi zyrtar.

“Nuk kemi ç’të bëjmë, është vendim nga lart”, i kishin thënë më pas në gjykatë.

Çregjistrimi prek thuajse vetëm shqiptarët

“Shkaku i çregjistrimit të Demirit është se ai është shqiptar”, thotë studiuesja Flora Ferati-Sachsenmaier nga Universiteti i Göttingenit.

Ajo vetë është me prejardhje nga Medvegja dhe në vitin 2023 publikoi një hulumtim për Institutin Max-Planck. Temën e zbuloi krejt rastësisht, në vitin 2016, kur ishte në Medvegjë për një projekt tjetër.

“Çdo i dyti shqiptar me të cilin flisja, më thoshte ‘po na çregjistrojnë’,” kujton Ferati për DW.

Në studim ajo do të zbulonte se çregjistrimi bëhej në mënyrë sistematike. Autoritetet serbe e quajnë këtë çregjistrim “pasivizim”.

“Nëse konstatojnë se dikush nuk jeton më në adresën e regjistruar, personi fshihet nga regjistri i adresave”, shpjegon Ferati.

Por, prej kësaj janë prekur edhe njerëz që janë me pushime ose në udhëtime të shkurtra jashtë. Riregjistrimi zakonisht nuk është i mundur. Fshirja ka pasoja të rënda për të prekurit. Ata nuk kanë qasje në shërbimet publike, nuk mund të bëjnë pasaportë ose të marrin shërbime shëndetësore.

Zvogëlimi i numrit të shqiptarëve si synim

Synimi është zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në Serbinë e Jugut. Shifrat e studimit Max-Planck flasin vetë.

“Ndërsa në Luginën e Preshevës numri i adresave të pasivizuara përfshin gati 10 për qind të popullsisë, në pjesë të tjera të Serbisë numri i pasivizimeve prek shumë më pak se një për qind të banorëve të komunave”, thotë Ferati-Sachsenmaier.

Çregjistrimi është problem sidomos për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, thotë Enver Haziri, i cili drejton në Gjilan një zyrë që merret enkas me nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shumica e tyre janë përndjekur nga fshatrat e tyre në qershor 1999 kur forcat serbe, të zbrapsura nga forcat e NATO-s, e shfrynë mllefin te pakica shqiptare në jug të Serbisë.

Në Kosovë këta të përndjekur janë të mirëseardhur moralisht, por nuk kanë asnjë lloj dokumenti zyrtar, thotë Haziri. Për shkak të pasivizimit, ata bëhen faktikisht pa shtetësi dhe nuk kanë mundësi të marrin pjesë në jetën shoqërore as të Serbisë e as të Kosovës. Vetëm qeveria e tanishme e Kurtit ka nisur ta marrë seriozisht fatin e pakicës dhe ka vendosur t’i pajisë me leje qëndrimi.

Shqiptarët e Serbisë – një pakicë e margjinalizuar

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e ka quajtur pasivizimin e adresave “spastrim etnik me metoda administrative”.

“Në Luginën e Preshevës, ku përfshihen komunat Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc jetojnë afro 60,000 shqiptarë. Megjithëse ata aty përbëjnë shumicën e popullsisë dhe Serbia i ka nënshkruar konventat e Këshillit të Evropës për pakicat kombëtare, shqiptarët margjinalizohen sistematikisht”, thotë Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Edhe si kandidate e BE-së, Serbia ka marrë zotimin se do ta përmirësojë gjendjen e pakicave shqiptare në institucionet publike.

Por Kamberi i tha DW-së se pasivizimi i adresave është njëra nga masat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Ne nuk na lejojnë të integrohemi në jetën publike, shpesh investitorët madje pengohen që të investojnë në Preshevë”, tha Kamberi.

Një pengesë për shqiptarët është dhe militarizimi gjithnjë në rritje i zonës. Serbia ka ngritur 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën, shumica e tyre janë në rajonin e Preshevës.

Berlini është i shqetësuar

Shaip Kamberi ishte para pak kohësh në Berlin për të sensibilizuar qeverinë dhe parlamentarët gjermanë për këtë çështje. Politikani gjerman Knut Abraham i CDU/CSU-së i tha DW se është i shqetësuar dhe se pret që ambasadat e shteteve të BE-së në Beograd “t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe të flasin me përfaqësues të pakicave”.

Thomas Hacker, nga partia liberale, FDP, i tha DW-së se çështja e pakicës shqiptare në Serbi meriton më shumë vëmendje ndërkombëtare.

“Fokusi është momentalisht te dialogu Prishtinë-Beograd, tema të tjera po aq të rëndësishme janë fatkeqësisht në hije. Procesi i pasivizimit duket si një proces i heqjes së ngadaltë të të drejtave”, tha ai.

Edhe Ministria gjermane e Punëve të Jashtme apeloi te të gjithë përgjegjesit që të veprojnë në përputhje me obligimet dhe të sillen në mënyrë më transparente dhe të drejtë.

Paditë e pasuksesshme

Qeveria serbe në të kaluarën i ka hedhur poshtë akuzat se pasivizimi është një masë për të diskriminuar shqiptarët, sipas një prononcimi të ministrit të atëhershëm të pushtetit lokal Aleksandar Martinoviq, në dhjetor 2023. DW i ka kërkuar një prononcim aktual Ministrisë së Brendshme të Serbisë, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Demiri dhe disa shqiptarë të tjerë ndërkohë e kanë çuar çështjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese në Beograd. Ata nuk presin të fitojnë, prandaj po përgatiten për ta çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Shanset që t’u jepet e drejtë janë të larta, por ata nuk besojnë se vendimet do të ndryshojnë politikën e Serbisë ndaj pakicës shqiptare.

(DW)