Si po rekruton Rusia mercenarë për luftën në Ukrainë?

Londër, 15 mars 2022 – Kanalet në mediat sociale dhe grupet private të mesazheve po përdoren në Rusi për të rekrutuar brigada të reja të mercenarëve për të luftuar në Ukrainë përkrah ushtrisë ruse, ka mësuar transmetuesi britanik BBC.

BBC-ja ka biseduar me një mercenar që po shërben aktualisht dhe me një ish-luftëtar që ka lidhje të ngushta me organizatat kryesore të mercenarëve në Rusi, të cilët kanë treguar detaje lidhur me fushatën e rekrutimit.

Mercenari që, aktualisht, është duke shërbyer tha se shumë veteranë dhe organizata Wagner ishin kontaktuar përmes një grupi privat në Telegram disa javë para nisjes së luftës. Ata u ftuan për një “piknik në Ukrainë”, dhe që të shijonin “Salo”, një yndyrë derri që tradicionalisht konsumohet në Ukrainë.

Mesazhi bënte thirrje që të aplikojnë “personat me precedentë penalë, që kanë borxhe, që janë të ndaluar nga grupet mercenare apo që nuk kanë pasaporta të huaja”. Në mesazh po ashtu thuhej se “ata nga zonat e pushtuara nga Rusia të republikave të Donjeckut, Luhanskut dhe Krimesë janë të ftuar përzemërsisht”.

Grupi i mercenarëve Wagner është një prej organizatave më sekrete në Rusi. Zyrtarisht, ky grup nuk ekziston, por pjesëtarët e saj shërbejnë si mercenarë në kundërshtim me ligjet ruse dhe ato ndërkombëtare. Por, deri më tani, besohet se 10,000 operativë kanë nënshkruar një kontratë me Wagnerin gjatë shtatë vjetëve të fundit.

Mercenari që është ende në shërbim, me të cilin ka biseduar BBC-ja, tha se rekrutët e rinj po dërgohen në njësi nën komandën e oficerëve të GRU-së, njësisë së inteligjencës ushtarake ruse, që bën pjesë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai theksoi se politika e rekrutimit ka ndryshuar dhe tani po aplikohen më pak kufizime.

“Ata po rekrutojnë këdo dhe të gjithë”, tha ai dhe u shpreh i pakënaqur me atë që e përshkroi si nivel të ulët të profesionalizmit të luftëtarëve të rinj.

Ai tha se njësitet e reja që po rekrutohen më nuk po referohen si mercenarë të Wagner, por po thirren me emra të tjerë, si për shembull Skifterët.

Kjo duket të jetë pjesë e një tendence për t’u larguar nga reputacioni i grupit Wagner, pasi emri i këtij grupi është i “njollosur”, tha Candace Rondeaux, profesoreshë e Studimeve Ruse, Euroaziatike dhe të Evropës Lindore në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Wagner vazhdimisht është përballur me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në operacionet e kryera në Siri dhe Libi.

Burimet nga grupet mercenare, që folën për BBC, thanë se rekrutët po trajnohen në bazën e grupit Wagner në Mol’kino në jug të Rusisë, që gjendet pranë një baze të ushtrisë ruse.

Përveç grupeve private online, ka pasur edhe një fushatë publike në Rusi për rekrutimin e mercenarëve.

Në platformën sociale ruse, VK, një faqe që e përshkruan veten si specialiste në aktivitete të sigurisë, në javën e parë të pushtimit postoi një reklamë përmes së cilës kërkohej “roje sigurie” nga vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik për të aplikuar “për shtetet fqinje”. Ekspertët thanë se kjo ishte një referencë për Ukrainën.

Më herët, pasja e një dosje penale ishte ndalesë për bashkimin në grupe të mercenarëve. Gjithashtu, ka pasur kufizime për këdo që ka lindur jashtë Rusisë, për shkak të dyshimeve rreth besnikërisë.

Ka një “kërkesë të madhe për luftëtarë” dhe për të bërë dallimin në fushëbetejë “atyre do t’iu duhen mijëra mercenarë”, tha Jason Blazakis, hulumtues në Qendrën Soufan, një organizatë e sigurisë me seli në Shtetet e Bashkuara.

Më 11 mars, ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, tha se 16,000 luftëtarë nga Lindja e Mesme kanë dalë vullnetarë për të luftuar së bashku me ushtrinë ruse. Presidenti rus, Vladimir Putin, dha urdhër që luftëtarët nga Lindja e Mesme të mund të dislokohen në zonat e luftës.

Ka pasur raportime se deri në 400 luftëtarë nga grupi Wagner kanë qenë në Ukrainë.

Grupi Wagner fillimisht u identifikua më 2014, kur mbështeste separatistët pro-rusë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Luftëtari i Wagnerit, që aktualisht është duke shërbyer, shpjegoi se në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, ai u dërgua në Harkiv – qytetin e dytë më të madh ukrainas – ku, siç tha, ai dhe njësia e tij në mënyrë të suksesshme përmbushën misionin. Megjithatë, ai nuk tregoi se për çfarë misioni bëhej fjalë.

“Ne jemi paguar 2,100 dollarë për një muaj punë dhe më pas jemi kthyer në shtëpi, në Rusi”, tha ai për BBC-në.

Blazakis tha se përdorimi i mercenarëve ishte “shenjë e dëshpërimit” për të mbajtur mbështetjen e publikut rus. Pushtimi i Ukrainës, i iniciuar nga Putini, ka nxitur disa protesta në Rusi dhe mijëra protestues janë arrestuar. Blazakis shtoi se përdorimi i mercenarëve i lejon Kremlinit që të “mbajë poshtë numrin e përgjithshëm të vdekjeve të ushtarëve, pasi mercenarët nuk regjistrohen si humbje në luftë”.

Moska vazhdimisht ka mohuar se ka lidhje me grupet mercenare.

BBC-ja ka dërguar pyetje në Ministrinë ruse të Mbrojtjes nëse baza në Mol’kino përdoret për të rekrutuar forca shtesë, në atë që autoritetet ruse e cilësojnë si “operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë”, por nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje.

(REL)