Cathrin Schaer, DW
Numri i adoleshentëve të arrestuar për terrorizëm në Evropë është rritur. Grupi terrorist “Shteti Islamik” rekruton me sukses të rinj evropianë për sulmet e tij.
Ai sulmoi konsullatën e përgjithshme të Izraelitnë Mynih, shkëmbeu zjarr me policët gjermanë dhe u qëllua për vdekje. Hetimet e mëvonshme zbuluan se 18-vjeçari Emrah I. ishte ndikuar nga propaganda xhihadiste, megjithëse më parë nuk kishte treguar asnjë shenjë.
I vetmi tregues, që mund të lidhej me tentativën për atentatin në Mynih vjen nga pranvera e vitit 2023. Në atë kohë pas ankesave për një zënkë në të cilën ishte përfshirë i riu, policia austriake i gjeti atij një lojë kompjuterike, ku shihej flamuri i Al-Kaidës. Policia beson se Emrah I. u radikalizua gjatë muajve të fundit përmes internetit.
Rritet numri i terroristëve të rinj
Emrah I. nuk është i vetëm. Mes marsit 2023 dhe marsit 2024 studiuesit në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Mesme regjistruan në mbarë botën 470 padi të lidhura me grupin ekstremist “Shteti Islamik” (IS). Në të paktën 30 raste ishin të përfshirë adoleshentë ose të mitur. Por shifra reale mund të jetë “shumë më e lartë”, thuhet në raport, sepse shumë vende nuk e specifikojnë moshën e të arrestuarve.
Një studim tjetër nën drejtimin e ekspertit për terrorizminPeter Neumann nga King’s College në Londër shqyrtoi 27 raste aktuale të lidhura me IS-in. Rezultati: Dy të tretat e të arrestuarve në këtë kontekst ishin të mitur.
Në fillim të shtatorit një 14-vjeçar u arrestua në Uruguaj, pasi e kishte përshkruar veten në internet si një “ujk të vetmuar”. Disa ditë më vonë autoritetet zvicerane arrestuan një 11-vjeçar. Ai kishte shpërndarë mesazhe ekstremiste në rrjetet sociale.
Rekrutim i qëllimshëm i adoleshentëve në Perëndim?
IS-i u mposht ushtarakisht në vitin 2017. Por grupi ekziston ende. Ai është i pranishëm në vendet afrikane dhe Afganistan. Atje ai njihet si “Shteti Islamik – Provinca e Khorasanit” (IS-PK ose IS-K).
Që nga janari i këtij viti IS-PK u ka bërë thirrje ndjekësve të tij, që të kryejnë sulme “të vetmuara” në Evropë, duke synuar evente të mëdha si Lojërat Olimpike, koncerte dhe ndeshje futbolli.
Në rastin e sulmit të mundshëm ndaj pjesëmarrësve në një koncert të Taylor Swift në Vjenë, policia austriake kontrolloi rrjetet digjitale të të dyshuarit kryesor austriak 19-vjeçar. Policia gjermane arrestoi më vonë një 15-vjeçar në Brandenburg, i cili dyshohej se mbështeste austriakun.
Sulmet e të rinjve zakonisht “frymëzohen” nga grupi IS dhe nuk urdhërohen drejtpërdrejt nga një person nga Afganistani, për shembull. Kjo është një dinamikë krejtësisht e ndryshme nga ajo e vitit 2014, kur IS pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë. Në atë kohë rekrutët e mundshëm qëndronin shpesh në kontakt direkt me një person në Lindjen e Mesme, i cili i inkurajonte që të linin atdheun e tyre dhe të vinin në “kalifat”.
Aktualisht propaganda është më pak e centralizuar, thotë Lucas Webber nga think tank, Soufan Center, në Nju Jork. “Më shumë mund të flitet për një aparat organik të një komuniteti në internet.”
Nuk ka as shërbim qendror mediatik dhe as një komandë qendrore, që kontrollon sulmet, thotë Pieter Van Ostaeyen, analist që punon ndër të tjera për Projektin Kundër Ekstremizmit me qendër në Nju-Jork, Berlin dhe Londër. “Por tani ka një rrjet të larmishëm, që rekruton të rinj”.
“Është më shumë një rrjet difuz, në të cilin fëmijët duan të fitojnë ndikim në rrethin e tyre në internet”, thotë Moustafa Ayad nga Instituti i Londrës për Dialogun Strategjik, i cili merret me ekstremizmin e të gjitha llojeve. Ideologjia vazhdon të luajë një rol, thotë Ayad. Por “tik-tokifikimi” i përmbajtjeve të IS në video të shkurtra ua bën më të lehtë të rinjve qasjen në këtë botë.
Përse janë të miturit kaq të influencueshëm?
Mesazhi bazë i IS-it ka qenë gjithmonë i njëjtë: bota persekuton muslimanët. Por nëse të rinjtë do t’i bashkoheshin IS, ne do të ishim të fortë së bashku. Të rinjve të margjinalizuar, që kërkojnë bashkësi apo orientim, mund t’i duket tërheqës ky lloj mesazhi, thonë psikologët. Në propagandë luajnë rol edhe faktorët politikë. Sipas ekspertëve grupi IS përdor konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës gjoja si provë se “pjesa tjetër e botës i urren myslimanët”. Prandaj ndjekësit e tij duhet të hakmerren, thuhet në video. “Imazhet e kamerave të vdekjeve të civilëve në Rripin e Gazës mund t`i shohë kushdo. Ato tregojnë vdekjen dhe shkatërrimin dhe u bëjnë përshtypje edhe fëmijëve”, thotë Ayad. “Kjo bën që fëmijët ose të tërhiqen ose të bëhen më agresivë.”
Edhe forcimi i së djathtës ekstreme në Gjermani dhe debati aktual rreth emigracionit dhe islamofobisë mund të ndikojnë tek të rinjtë e margjinalizuar nga këto komunitete. “Më shumë ekstremizëm i djathtë çon në më shumë sjellje xhihadiste. Është e thjeshtë”, thotë Pieter Van Oestaeyen për DW. “Të dy grupet përforcojnë njëri-tjetrin.”
Pra, sa i madh është rreziku nga të ashtuquajturit “TikTok-terroristët”? Ka shumë kërcënime nga anëtarët e Shtetit Islamik, thotë Ayad. “Por unë nuk mendoj se jemi në të njëjtën gjendje si në 2015 dhe 2016. Planet e këtyre fëmijëve zakonisht nuk janë të menduara seriozisht. Por nëse janë të suksesshme, mund të kenë pasoja masive. Mjafton vetëm një sulm i suksesshëm”.