Si t’i biesh pas çështjes gjyqësore me emigracionin 

Avokati Kieran Both ([email protected] shqip dhe anglisht)

Avokati Kieran Both

Ka gjëra që është mirë t’i dini nëse ju vetë ose një i afërm i juaji ka të hapur një çështje gjyqësore me emigracionin.  

Datat e seancës dëgjimore: Datat e seancës dëgjimore ndryshojnë shpesh. Duhet t’ju vijë një njoftim me postë për seancën dëgjimore, por gjykatave të imigracionit shpesh u duhet kohë e gjatë për të dërguar këto lloj njoftimesh. Është e rëndësishme të kontrolloni vazhdimisht statusin e çështjes tuaj që të jeni sa më në korrent të seancave të ardhshme dëgjimore për çështjen tuaj. Për këtë qëllim, ju duhet “numri A”, një “numër” prej nëntë shifrash të cilin mund ta gjeni në dokumentet tuaja gjyqësore. Ka dy mënyra për të kontrolluar statusin e çështjes suaj:

Telefononi numrin 1-800-898-7180 të vënë në dispozicion nga EOIR-i, për të marrë informacionin e automatizuar që lidhet me çështjen tuaj. 

Vizitoni në internet portalin e vënë në dispozicion nga EOIR-i për të marrë informacionin e automatizuar lidhur me çështjen tuaj (Automated Case Information)

Të dy sistemet ofrojnë si në anglisht ashtu dhe në spanjisht datën, orën si dhe vendin ku do të kryhet seanca dëgjimore për çështjen tuaj të emigracionit.

Llojet e seancave dëgjimore: Shumë gjykata tani ofrojnë seanca dëgjimore video dhe telefonike. Informohuni nëse gjykata e emigracionit që merret me çështjen tuaj do ta zhvillojë seancën tuaj dëgjimore përmes videos, me telefon ose do të kërkojë që të paraqiteni fizikisht. Nëse nuk jeni të sigurt për mënyrën si do të zhvillohet seanca juaj dëgjimore, atëherë duhet të paraqiteni vetë në sallën ku zhvillohet seanca. Informacionin që ka të bëjë me secilën prej gjykatave të emigracionit mund ta gjeni në https://www.justice.gov/eoir-operational-status/operational-status-map.

KUJDES: Nëse nuk paraqiteni – në një mënyrë ose nje tjetër – në seancën tuaj dëgjimore, rrezikoni që gjykatësi të marrë vendim që të deportoheni. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të paraqiteni, dmth të jeni të pranishëm në seancën dëgjimore, fizikisht, përmes video-s, apo telefonit në varësi të mënyrës që është paracaktuar për rastin tuaj konkret.

Ndryshimi i adresës: Ligji kërkon që të përditësoni adresën që i keni dhënë gjykatës së emigracionit që merret me çështjen tuaj. Plotësoni dhe dorëzoni formularin EOIR-33IC nëse keni një çështje të hapur me gjykatën e emigracionit. Nëse çështjen e keni në Bordin e Apelimit të Emigracionit (BIA) atëherë duhet të përdorni formularin EOIR-33BIA. Të dy këto  formularë mund t’i gjeni në: https://www.justice.gov/eoir/list-downloadable-eoir-forms.

Kur gjykatat janë të mbyllura: Ndodh ndonjëherë që gjykata e emigracionit mbyllet për shkak të motit të keq, COVID-19-ës ose për arsye të tjera. Për të zbuluar nëse gjykata e imigracionit që merret me çështjen tuaj është ose jo e hapur ditën e seancës tuaj dëgjimore, ju këshillojmë të vizitoni faqen në internet:  https://www.justice.gov/eoir-operational-status/operational-status-map

Do të më duhet të vë maskë mbrojtëse kur të paraqitem në gjykatë?

Merrni masa dhe ndiqni çdo kërkesë të paraqitur nga vendi ku gjendet gjykata, që ka të bëjë me nevojën ose jo për të vënë maskë mbrojtëse. Mund ta merrni vetë në telefon gjykatën për t’u informuar lidhur me këto kërkesa. Për të gjetur numrin e telefonit të gjykatës që merret me çështjen tuaj, përdorni këtë link : Find an Immigration Court and Access Internet-Based Hearings. Për të mësuar diçka më shumë, ju lutemi të kontaktoni avokatin tuaj ose gjeni një avokat emigracioni në faqen: https://www.ailalawyer.org. Ky informacion është ofruar falë Shoqatës së Avokatëve Amerikanë të Emigracionit (AILA) #AILAStandsWithImmigrants.