Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Në vitet ’90, fshati Brezovicë në pjesën jugore të Kosovës ishte një prej qendrave më atraktive për turizëm dimëror.
Afro tri dekada më vonë, kjo qendër e skijimit është shndërruar në një prej aferave më të mëdha të korrupsionit që po heton Prokuroria e Kosovës.
Qindra ndërtime pa leje, degradim i ambientit, dhënie dhe marrje e ryshfetit janë vetëm disa prej veprave penale, për të cilat Prokuroria Themelore e Ferizajt ka ngritur dy aktakuza kundër 20 personave.
Të akuzuarit përfshijnë Bratisllav Nikolliqin, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës, ku edhe ndodhet Brezovica, pastaj drejtorë komunalë, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, ndërtues dhe persona të tjerë, që kanë ndihmuar apo kanë dhënë ryshfet në këmbim të lejeve të ndërtimit.
Për këtë rast, në të cilin janë hetuar rreth 100 persona, prokurori Rasim Maloku jep detaje për Radion Evropa e Lirë – mes tjerash, tregon se si Nikolliq, si kryetar i Shtërpcës, ka dhënë jashtëligjshëm leje për ndërtim në Brezovicë, në këmbim të ryshfetit, se si inspektorët komunalë nuk i kanë ndaluar punimet dhe se si zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë neglizhuar punën e tyre në raport me degradimin e Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.
Maloku, po ashtu, flet për përpjekjet e Millan Radoiçiqit – nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe – që t’i pengojë hetimet, përmes frikësimit të dëshmitarëve.
Radoiçiq është në arrati dhe kërkohet për frikësimin e dëshmitarëve pikërisht në rastin e Brezovicës.
Ai, gjithashtu, dyshohet se ka lidhje me vrasjen ende të pazbardhur të politikanit të opozitës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018, ndërsa SHBA-ja e ka futur në listë të zezë, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar.
Sipas prokurorisë, nga viti 2013 deri në vitin 2022, në Brezovicë janë ndërtuar më shumë se 100 objekte në mënyrë të jashtëligjshme. Për ndërtimin e tyre, prokuroria thotë se janë dhënë më shumë se 2 milionë euro ryshfet.
Në aktakuzën e parë që është ngritur në vitin 2020 janë përfshirë 11 persona, kryesisht zyrtarë komunalë, ndërtues dhe pronarë objektesh pa leje.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, thotë se sa më shumë që është gjurmuar në këtë rast, aq më shumë janë zgjeruar hetimet.
Kjo, sipas tij, ka çuar në ngritjen e aktakuzës së dytë më 9 nëntor të vitit 2022. Në të, ish-kryetari i Shtërpcës, Nikolliq, përshkruhet si njeriu kryesor që ka marrë ryshfet në këmbim të dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.
Në aktakuzën e dytë, përveç Nikolliqit, është përfshirë sërish edhe drejtori i Urbanizmit, ashtu si edhe dy inspektorë komunalë, drejtori i Kadastrës në Shtërpcë dhe të tjerë.
Dyshime për mbi një milion euro ryshfet
Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, dyshohet se ka marrë më shumë se një milion euro ryshfet nga kompanitë ndërtuese dhe investitorët.
Sipas aktakuzës, ai ka qenë personi kryesor nga viti 2013 deri më 21 dhjetor 2021 që ka ndikuar direkt në dhënien e lejeve ndërtimore.
Vetëm në një rast, sipas aktakuzës, Nikoliq dyshohet se ka mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quka Co”, Alban Quka, i cili do të kryente ndërtimin, ai ka marrë 210.000 euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”, si dhe 200.000 euro tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stela Consulting”.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me pronarin e kompanisë “Quka Co”, e as me pronarë të tjerë të kompanive ndërtuese, si dhe me investitorë që dyshohen për dhënie të ryshfetit.
Në hetim aktiv për këtë rast aktualisht janë edhe 40 persona, por prokurori i rastit, Rasim Maloku, nuk dëshiron të japë më shumë informacione se për kë bëhet fjalë apo për çfarë dyshohen ata.
Për çfarë akuzohen zyrtarët komunalë?
Në aktakuzë thuhet se Nikoliq ka qenë personi kryesor që ka vendosur se kujt t’i lëshohej leje ndërtimi.
Sipas aktakuzës, dhënien e lejeve në disa raste e ka mundësuar drejtori i Urbanizmit në Shtërpcë, Dimitrije Raçiçeviq.
Ai akuzohet se në bashkëveprim me dy inspektorët komunalë, Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, gjegjësisht nuk kanë ndaluar ndërtimin e objekteve në zonat e ndaluara për ndërtim, me qëllim të përfitimit pasuror për vete.
Sipas prokurorisë, në disa raste, ata kanë marrë shuma nga 5 mijë euro, ndërsa në një rast tjetër 14 mijë euro.
I përfshirë ka qenë edhe drejtori i Kadastrës në Shtërpcë, Sasha Millosavleviq. Ai akuzohet se ka marrë para nga kompani ndërtuese dhe persona të tjerë fizikë, në këmbim të sigurimit të dokumentacioneve të nevojshme, si dhe të lejeve të ndërtimit.
Për çfarë akuzohen zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor?
Në aktakuzë, zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës (MMPH) nuk akuzohen për marrje të ryshfetit.
Akuzat që ngarkohen mbi ta, kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin.
Sipas aktakuzës, ish-sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku, ka nxjerrë vendim për dhënien e pëlqimeve mjedisore për disa objekte që janë ndërtuar jashtëligjshëm në Brezovicë.
Për mospërmbushje të detyrave akuzohet edhe kryeinspektori i kësaj ministrie, Bedri Halimi, i cili, sipas prokurorisë, nuk ka ndërmarrë veprime ligjore-ekzekutive për të ndaluar ndërtimin e vikend-shtëpive dhe hoteleve, edhe pse ka qenë në dijeni se ato kanë qenë duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore.
Avokati mbrojtës i Bedri Halimit, Haxhi Millaku, thotë për Radion Evropa e Lirë si klienti i tij nuk e ndien veten fajtor për asnjë nga akuzat me të cilat ngarkohet.
“Në qoftë se dikush nuk ka vepruar, atëherë janë organet e ndjekjes, përkatësisht prokuroria kompetente që tash po ushtron akuzë kundër një njeriu që asnjë veprim apo mosveprim të kundërligjshëm nuk e ka”, thotë Millaku.
Shtatëdhjetë e pesë objekte të sekuestruara përkohësisht
Nën dyshimet se janë ndërtuar jashtëligjshëm, deri më tani janë sekuestruar 75 objekte në Brezovicë.
“Këto vila janë konfiskuar për faktin se kanë qenë të ndërtuara në një zonë të mbrojtur, ku ndalohet rreptësisht ndërtimi”, thotë prokurori Maloku.
Në mesin e personave që u janë konfiskuar vilat, janë tre gjyqtarë, politikanë, biznesmenë, si dhe qytetarë që i kanë blerë ato – disa prej tyre, me gjasë, pa qenë në dijeni se janë ndërtuar jashtëligjshëm.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa pronarë që u janë konfiskuar vilat, por shumë prej tyre ose nuk kanë qenë të qasshëm, ose nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se me rastin po merret prokuroria.
Ndërkaq, biznesmeni kosovar, Shaqir Palushi, të cilit i është sekuestruar një vikend-shtëpizë në Brezovicë, thotë se e ka blerë atë në nëntor të vitit 2021 për një shumë prej rreth 200.000 eurosh dhe se shitësi ia ka dëshmuar se i ka të gjitha lejet e nevojshme.
Palushi thotë se nuk ka qenë në dijeni se ajo është ndërtuar në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri”, ku ndërtimi është i ndaluar me ligj.
“Është e pajisur me leje ndërtimi, të lëshuar nga Komuna e Shtërpcës në vitin 2017. Unë s’kam pasur asnjë njohuri dhe asnjë lidhje. Dhe, sigurisht, jam pro dënimit të personave përgjegjës nëse kanë bërë shkelje, por mendoj që në rastin tonë… dhe sa e di, të paktën edhe disa të tjerë, që janë fqinj me vilën tonë… ne nuk e kemi as më të voglin faj”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.
Prokurori i rastit, Maloku, nuk e përjashton mundësinë që disa nga pronarët të mos kenë qenë në dijeni për shkeljet ligjore.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai jep një çmim të përafërt të vilave të ndërtuara në zonat e ndaluara në Brezovicë.
Pengimi i hetimeve
Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës, e cila shumicën e popullatës e ka të nacionalitetit serb.
Komunën e kanë udhëhequr tradicionalisht përfaqësuesit politikë serbë – përfshirë kryetarin e komunës dhe shumicën e drejtorive.
Hetimet në këtë rast, sipas prokurorit Maloku, i kanë vështirësuar strukturat paralele serbe, që veprojnë në Kosovë, të mbështetura nga shteti i Serbisë.
“Për çdo aktivitet që e kemi zhvilluar në zonën e Brezovicës, kemi qenë të monitoruar nga strukturat ilegale dhe kjo e ka cenuar në një mënyrë edhe sigurinë, por edhe vetë hetimin në këtë çështje”, thotë Maloku.
Pikërisht për rastin Brezovica, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka urdhërarrest aktiv dhe ndodhet në arrati.
Pas nisjes së hetimeve në këtë rast, Radoiçiq dyshohet se ka ndikuar te dëshmitarët bashkëpunues, duke i kërcënuar dhe frikësuar ata që të mos bashkëpunojnë me prokurorinë.
Prokurori Maloku thotë se ka dyshime të bazuara që mjetet që janë marrë në formë ryshfeti nga zyrtarët komunalë në Shtërpcë, në këmbim të dhënies së lejeve të ndërtimit, në disa raste kanë shkuar për financimin e subjektit politik, Lista Serbe – pjesë e së cilës parti është edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Nikoliq.
Prokurori Maloku thotë se në bazë të hetimeve, ka dyshime të bazuara se shuma të mëdha të parave janë dërguar përmes transaksioneve fiktive nga Kosova në Serbi.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment nga Lista Serbe në lidhje me pretendimet e prokurorisë, por zyrtarët e këtij subjekti politik nuk janë përgjigjur.
Kërkohet trajtim me prioritet nga gjykata
Aktakuza e parë kundër 11 personave në rastin Brezovica është dorëzuar në gjykatë në vitin 2020, por, deri më tani, nuk ka filluar procesi gjyqësor.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se në këtë rast, gjykata duhet të veprojë me prioritet, pasi të përfshirë janë njerëz të profileve të ndryshme. Dhe, sipas tij, mund të ketë prej atyre që do të përpiqen të gjejnë rrugë alternative për t’i shpëtuar drejtësisë.
“Sistemi gjyqësor, si dhe ai prokurorial do të duhej që, në radhë të parë, t’u ofronin mbështetje gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë rast, që t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrën më të pavarur të mundshme, por që edhe prokurori i shtetit të ndërmarrë masa ndaj secilit që, përmes mënyrave të kundërligjshme, tenton të ndikojë në këtë rast”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e publikuar në janar, organizata ndërkombëtare, Transparency International, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit.
Derisa rasti i Brezovicës mbetet ende nën hetim dhe në pritje të nisjes së seancave gjyqësore, prokurori Rasim Maloku thotë se nuk e di se cili do të jetë rezultati final – do të rrënohen apo jo vilat dhe hotelet e ndërtuara jashtëligjshëm në Brezovicë.
(Shkëlqim Hysenaj, REL)