Tiranë, 21 tetor 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar akuzat zyrtare që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.
Mësohet se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.
Sipas nenit 260 Kodit Penal
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:
- a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
- b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
- c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
- d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
- dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.
Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe kur:
- a) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
- b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
- c) personi që kryen pastrimin e produkteve është i njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
- d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.
Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.
(Panorama.al)