Sipas sondazhit të CNN, Kamala Harris doli fituese në debatin me Donald Trumpin

Atlanta, 11 shtator 2024 – Sipas një sondazhi të çastit të CNN, shumica e votuesve që e ndoqën debatin presidencial të martën e shpallën fituese Kamala Harrisin.

Më se 63 për qind e atyre që e ndoqën debatin thanë se Harris doli fituese, ndërsa vetëm 37 për qind thanë se nga debatti doli fitues Trump.

Fitorja e zonjës Harris është e qartë pasi votuesit që morën pjesë në sondazh kishin pritshmëri të përziera. Të pyetur para debatit se kush mendonin se do të fitonte, 50 për qind e parashikuan fituese Harrisin dhe 50 për qind të tjerët e zgjodhën Trumpin.

Sondazhi i çastit u krye të martën mbrëma përmes mesazheve me tekst me votues të rekrutuar më parë, të cilët pranuan të anketoheshin pas përfundimit të debatit.

Marzhi i gabimit të sondazhit, i cili nuk e pasqyron opinionin e elektoratit në tërësi, mund të jetë plus ose minus 5.3 për qind.

Këto rezultate ndryshojnë ndjeshëm nga debati i qershorit midis Trumpit dhe Presidentit Joe Biden. Një sondazh i shpejtë i kryer menjëherë pas atij debati tregonte se dy në tre votues që e kishin parë debatin e kishin zgjedhur Trumpin si fitues dhe vetëm një e treta e kishin konsideruar fitues Bidenin.

(r.m.)