Prishtinë, 10 shkurt 2022 – I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, qëndroi të enjten në Kosovë. Ai u takua me dyer të mbyllura me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera e të partive politike.
Ambasada britanike në Prishtinë tha se z. Peach e ka shprehur gatishmërinë e Londrës që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje tëqëndrueshme midis Kosovës e Serbisë.
” Sir Stuart po punon në promovimin e stabilitetit dhe të prosperitetin në rajon. Prioritetet e tij janë të punojë me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke inkurajuar zgjidhjen e çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur, si edhe promovimin e zhvillimit ekonomik”, thuhet në një postim e ambasadës britanike në rrjetet sociale.
We are very pleased to welcome Sir Stuart Peach, the Prime Minister’s Envoy to the Western Balkans, to 🇽🇰 for his first visit in his new role. This morning he had meetings with the President & Prime Minister & is also meeting representatives of different political parties.
— UK in Kosovo 🇬🇧 (@UKinKosovo) February 10, 2022
1/2 pic.twitter.com/1kXOdAv9Xp
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe në rajon.
“Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesorë, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë ajo.
“Sa më i madh të jetë roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Presidentja Osmani e ka shprehur qëndrimin tashmë të njohur të institucioneve të Kosovës për dialogun me Serbinë.
“Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani e ka kritikuar qasjen e Serbisë ndaj dialogut dhe ndaj marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Ajo ka theksuar se Serbia është në shërbim të Rusisë, e cila synon destabilizimin e rajonit.
Kryeministri Kurti eka cilësuar Mbretërinë e Bashkuar partner të Kosovës në përpjekjet për siguri, stabilitet dhe zhvillim. Ai ka theksuar se e ardhma e Kosovës është në integrimet euro-atlantike.
“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, ka thënë Kurti.
Ai e ka siguruar zotin Peach se qeveria e tij është e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë dhe ka përsëritur qëndrimin e Kosovës ndaj dialogut.
“Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët dhe jo politikanët”, është shprehutr ai.
Kurti ka ritheksuar edhe më këtë rast se integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror dhe rendi kushtetues në Kosova janë të panegociueshme.
Sir Stuart Peach erdhi në Kosovë pas një vizite në Beograd ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në fokus të takimit ka qenë procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Sir Stuart Peach është emëruar i dërguar i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se ky emërim “është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për qëndrueshmërinë dhe paqe në rajon”.
Sir Stuart Peach është i dërguari i tretë perëndimor për Ballkanin Perëndimor. SHBA e ka emëruar në këtë pozitë zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit, Gabriel Escobar, ndërsa Bashkimi Evropian e ka emëruar Miroslav Lajçakun të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor.
Vizita e z. Peach në Beograd dhe në Prishtinë realizohet pas vizitës së Escobarit dhe Lajçakut, në kuadër të përpjekjeve për përtëritjen e dialogut Kosovë – Serbi.
(r.m.)