Damask, 12 tetor 2023 – Media shtetërore siriane ka raportuar se nga sulmet ajrore izraelite të enjten janë goditur aeroportet ndërkombëtare në kryeqytet, Damask, dhe në qytetin verior të Alepos. Si pasojë e sulmeve janë dëmtuar pistat në këto aeroporte, të cilat janë mbyllur për shërbim.
Media shtetërore siriane, SANA, citoi një zyrtar ushtarak të paidentifikuar, i cili tha se askush nuk është lënduar gjatë sulmeve.
Ushtria izraelite refuzoi të komentonte për këtë incident.
Nëse vërtetohet se Izraeli qëndron pas këtyre sulmeve, atëherë ato do të ishin sulmet e para izraelite që kur grupi militant palestinez i Hamasit kreu sulmet vdekjeprurëse në Izrael më 7 tetor.
Sulmet ajrore vijnë një ditë para vizitës së planifikuar në Siri të ministrit të Jashtëm iranian, i cili pritet të bisedojë me zyrtarët sirianë për situatën në rajon.
Izraeli ka shënjestruar aeroporte dhe porte detare në zonat e kontrolluara nga Qeveria në Siri, në përpjekje për të parandaluar dërgesat me armë nga Irani për grupet militante që mbështeten nga Teherani, përfshirë edhe Hezbollahun në Liban.
Mijëra luftëtarë që mbështeten nga Irani në mbarë rajonin iu bashkuan konfliktit 12-vjeçar në Siri, për të ndihmuar forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Në vitet e fundit, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore që kishin për cak shënjestra në zonat e kontrolluara nga Qeveria siriane, përfshirë edhe sulme në aeroportet në Damask dhe Alepo, por rrallë pranon se qëndron prapa këtyre operacioneve.
(REL)