Skandal në “Albcontrol”, tender 1.9 milionë euro për trajnimin e 30 kontrollorëve ajrorë

Tiranë, 10 maj 2023 – Abuzimet me paranë publike në institucionet në varësi direkte të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nuk kanë të ndalur.

Skandali i radhës është regjistruar nga Albcontrol që dikur drejtohej nga vetë Balluku, ndërsa tani drejtohet nga bashkëpunëtorja e saj e ngushtë, Laureta Omeri.

Kjo kompani publike ka hapur një tender me vlerë gati 1,9 milion euro për trajnimin e 30 kontrollorëve ajrorë. Kosto e trajnimit për çdo kontrollor është plot 63 mijë euro, për vetëm një vit, dhe financohet krejtësisht nga paratë publike, duke qenë se kompania është me pronësi shtetërore.

Edhe në nëntor të vitit që shkoi, Albcontrol zhvilloi një tender abuziv prej rreth 600 mijë eurosh, për trajnimin e personelit për 6 muaj, për disa programe. Në këtë në garë mori pjesë vetëm kompania “Consulting & Management Albania”, e cila u shpall fituese, me ofertën me vlerë të 99.9% të fondit limit.

Belinda Balluku, ndonëse ka kohë që është larguar prej “Albcontrol”, vazhdon të ketë nën kontroll të fortë këtë kompani, duke vendosur në krye të saj bashkëpunëtorët e saj të ngushtë.

Edhe fryma e shpalljes se prokurimeve vazhdon e njëjtë me atë të kohës së Ballukut, me tendera në vlera të paimagjinueshme për luks dhe për trajnime të personelit.

(Balkanweb)