Endri Ikonomi, një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin me rrjedhjen e pagave, rezulton të ketë punuar deri së fundmi për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB të cilat Ora News i disponon, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.
Po sipas të dhënave tëQKB-së, Oleg Boyko ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm “Piressa Holding Limited”, një kompani kjo që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet i arrestuari i policisë Endri Ikonomi, i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021.
Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021.
Rusi Oleg Boyko, 57 vjeç, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në ëebfaqen e tij si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare, si dhe drejtues i Finstar Financial Group.
Ndërkaq, një raport i inteligjencës amerikane e citon 57-vjeçarin si një person “me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë, por edhe me lidhje me krimin e organizuar”.
Skandali i publikimit të të dhënave sensitive të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë tronditi vendin në dhjetor të 2021 dhe ngriti shqetësime për cenim të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.
oranews
Policia njoftoi sot se ka arrestuar katër persona, dy prej të cilëve punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy të tjerë punonjës të sektorit privat.