Skiatorja italiane, Lara Colturi, do ta përfaqësojë Shqipërinë

Tiranë, 26 maj 2022 – Skiatorja e re italiane, Lara Colturi, është pajisur me pasaportë shqiptare.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, duke i dorëzuar pasaportën, ka thënë se skiatorja italiane do të përfaqësojë Shqipërinë, tash e tutje. Ai ka bërë të ditur se pasaportë shqiptare u është dhënë edhe vëllait të vogël të Colturit dhe nënës së saj, ish-kampiones olimpike Daniela Ceccarelli, e cila do ta drejtojë ekipin kombëtar të Shqipërisë në sportin e skijimit.

“Kënaqësi e veçantë t’i jap pasaportën shqiptares më të re, Lara Colturi, e cila do të garojë shumë shpejt me flamurin tonë kombëtar në sportin e skive. Me kombësi dhe gjithashtu shtetësi italiane, Lara është një sportiste plot talent dhe shumë premtuese, me të cilën Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë një kampione olimpike. Edhe nëna e Larës, Daniela Ceccarelli, një ish kampione olimpike në sportin e skive, tashmë do të drejtojë ekipin tonë kombëtar në këtë disiplinë. Një falënderim i veçantë për ‘kumbarin’ e kësaj iniciative, presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. 

foto galeri foto galeri foto galeri

(r.m.)