Sllovakia ia dërgon Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29

Brastisllavë, 24 mars 2023 – Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29, nga gjithsej 13, tha të enjten Ministria sllovake e Mbrojtjes.

“Katër avionët e parë u janë dorëzuar në mënyrë të sigurtë Forcave të Armatosura të Ukrainës”, tha ministria.

Ky shtet tha se transferimi u krye nga pilotët ukrainas dhe se “javët e ardhshme do t’i dorëzohen ukrainës edhe pjesa tjetër e avionëve”.

Qeveria e Sllovakisë miratoi transferimin e flotës së saj të avionëve luftarakë të epokës sovjetike MiG-29 javën e kaluar.

Sllovakia u bë vendi i dytë anëtar i NATO-s, pas Polonisë, që dëgjon kërkesat e qeverisë ukrainase për avionë luftarakë.

Përpara pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Ukraina kishte disa dhjetëra MiG-29 që trashëgoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, por është e paqartë se sa prej tyre mbeten në shërbim pas më shumë se një viti luftimesh.

Forca ajrore e Ukrainës është familjarizuar me MiG-29 dhe mund t’i përdorë avionët menjëherë.

(REL)