Lubjanë, 6 shtator 2022 – Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadoren e Serbisë, Zorana Vlatkoviq, për shkak të deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, gjatë vizitës së fundit të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Beograd, Vuçiq e ka akuzuar Slloveninë se, me njohjen e shtetit të Kosovën, e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, sikurse edhe vendet tjera që e kanë njohur Kosovën.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka njoftuar se ambasadoren Vlatkoviq e ka ftuar për të biseduar lidhur me këto deklarata të Vuçiqit.
Kjo ministri ka njftuar gjithashtu se edhe ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, është ftuar në bisedë për të njëjtën temë.
Presidenti serb, pas takimit me presidentin slloven, në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët përse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë, kurse ai është përgjigjur:
“Si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë? “Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, kurse Sllovenia e ka shkelur. Dhe, siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se vendet që e kanë njhr pavarësinë e Kosovës e kanë shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Sllovenia, sikurse edhe, për shembull, Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që e njohin pavarësinë e Kosovës, po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Vuçiq.
Ministria e Jashtme e Sllovenisë ka thënë se është shumë e befasuar nga këto deklarata të Vuçiqit, dhe ka theksuar se Sllovenia e njeh Kosovën si shtt të pavarur e sovran.
“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë.
Ajo ka shtuar se pret që bashkëpunimi aktual me Serbinë të vazhdojë dhe se Lubjana do të vazhdojë të avokojë për komunikim me Beogradin, në të gjitha nivelet.
“Ne duam që shtetet të vazhdojnë të zhvillojnë raporte miqësore dhe së bashku të shikojnë për mundësi që të zgjidhen çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor, që do të ulnin tensionet në rajon. Kjo do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë që të bënin përparim në rrugën drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.
(r.m.)