Kryetari i Komisionit anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut, Halil Snopçe ka reaguar ndaj vendimit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi që të anulojë mbledhjen e thirrur të këtij komisioni, nën arsyetimin siç thotë Snopçe se “pikat e propozuara nga ai janë në kundërshtim me Kushtetutën”, transmeton TV21.
“Në Bazë të rregullores, Xhaferi më shkruan se Kuvendi mund të shqyrtojë informata nga propozues të autorizuar dhe më pastaj po komenton se fillimisht duhet t’i dorëzohen kryetarit të Parlamentit dhe më pastaj i dorëzohen deputetëve për të shqyrtuar te trupat punues të Kuvendit. Në fund zotëri Xhaferi potencon se mbledhja e thirrur nga unë po anulohet. Besoj se po ndodh për herë të parë në historinë parlamentare ku kryetari anulon mbledhjen e konvokuar nga kryetari i një trupi punues. Ka pasur raste ku kryetari ka caktuar mbledhje për shkak të arsyeve të ndryshme, por nuk ka rast të anulimit të mbledhjes”, tha Snopçe.
Pikat e propozuara siç bëri të ditur Snopçe kanë të bëjnë:
Ankesa e qytetarit Muhedin Bela që ka të bëjë me diskriminimin në Ministrinë e Mbrojtjes.
Rasti i zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë.
Fatkeqësia e autobusit në Bullgari.
“Konsideroj se në këto raste ka thyerje eklatante të të drejtave të njeriut”, tha Snopçe duke shtuar se vendimi i anulimit të mbledhjes së Komisionit, është vendim i njëanshëm.