Sofra Kërçovare 2013 në Chicago, feston fitoren historike te Kërçovës!

 

Nga Chicago, Beqir Sina

Në sallën e madhe të festimeve dhe gazmendeve të ndryshme, lokalin e njohur të komunitetit shqiptarë në Chicago “Diplomat West”, me pronar një kërçovar, zotin Faik Ajro, veprimtar dhe biznesmen i suksesshëm i këtij komuniteti, u mbajt mbrëmja festive e 10-vjetorit të krijimit të SHKA “Sofra Kërçovare” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më shumë se 1000 vetë morën pjesë në këtë mbrëmje jubilare, të cilën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe mysafirët e lartë nga Shkupi: Kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, shefi i kabinetit të tij Artan Grubi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Maqedonisë, në Chicago zoti Jakup Rexhepi.
Mbrëmja e çel me këndimin e dy hymneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe atë të Shqipërisë.
Kryetari i shoqtës “Sofra Kërçovare” zoti Abedin Ibrahimi, mbajti fjalën përshëndetëse. Kurse, Ilir Zenku, kryetar i shoqatës “Kërçova” në Chicago, foli për këtë shoqatë dhe punën e saj – ndërsa më pas vlersoi lart pjesëmarrjen e kërçovarve nga Amerika, në zgjedhjet e 24 marsit në Maqedoni. Këtë mbrëmje jubilare e përshëndetën me fjalë rasti edhe Kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Në këtë manifestim të trefishtë mbushur me plotë gëzime, kishin ardhur ta përshëndesin edhe Grupi Uskana, i cili vinte enkas nga Kërçova dhe kishte sjellë me vete edhe “himnin kërçovar”, këngën e fushatës së zgjedhjeve “Uskana”. Më pas edhe grupe dhe këngëtarë të tjerë kërçovarë, që jetojnë dhe veprojnë në Chicago, interpretuan për të pranishmit. Grupi kërçovar i vallëtarëve, vajzave dhe burrave luajti disa valle të bukura me motive të kësaj treve. Bekim Huseini me grupin e tij, këngëtaria Verduna Shemshedini, nga Grupi muzikor Dardania, së bashku me Grupin Artë, këngëtarin Gazmend Musliu dhe Remzi Ademi, e bënë edhe më të hareshme këtë mbrëmje festive.
Konferencierët Adile Alili dhe Taip Beqiri, udhëhoqën me zotësi programin.
Kryetari i shoqates Ilir Zenku, shpalli të hapur manifestimin kulturor, ku u dalluan recitali “Vota e Mërgimtarit” me autor: Dr.Xhabir Alili dhe me interpretimin plot pasion të Taip Beshiri me aktivistët e tjerë të komunitetit; Adile Alili, Dardan Ibraimi, Perparim Bekteshi, Naim Ibraimi, Beadin Bexheti, Adil Beshiri, Abedin Ibrahimi, etj.
Libretin e kësaj mbrëmje festive e kishte përgatitur me shumë mjeshtëri Dr.Xhabir Alili.
“Ky recital përshkruan në një mënyrë dëshirën dhe entuziasmin që patën shqiptarët e Kërçovës, për të shkuar të votojnë për të fituar Kërçovën dhe për ta bërë Uskanën tonë Ilire, sot kemi një Kërçovë shqiptare, edhe me shkuarjen e mbi 7000 kërçovarëve, duke ia arritur qëllimit për të qeverisur shqip, komunën tonë aq të dashur”, tha Dr.Xhabir Alili.