Solidarizohem me gratë e botës për Paqë

Berit Baker ( Gusht 1947- 7 Mars 1993) shembull humanizmi

 

Nga Pertefe Leka

Shqipëria ka qenë vendi më atraktiv për udhëtarët e huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për kulturën popullore, për gjuhën më të vjetër, për historinë heroike…. Në Shqipëri kanë ardhur në periudha të ndryshme, personalitete gra të shquara,të cilat krahas objektivit tyre,për studime të mirëfillta, kanë bashkuar qëndrimin e tyre me kërkesat e shqiptarëve, duke u bë një zë për të drejtat e tyre. Më ka tërhequr studiuesja Berit Baker e cila duke pasë si qellim studimi kulturën shqiptare, u bë një me mikëpritësit që i hapën derën me bujari, duke I dalë në mbrojtje shpirtit liridashës të tyre. Megjithëse është një ditë përkujtimore 7-8 Marsi për B.Baker por është dhe një ditë solidariteti me gratë në botë që luftojnë për të drejtat e tyre, veçanërisht me gratë e Ukrainës që po mbrohen trimërisht,. Të jetë si shembull misioni i humanistes Berit si vazhduese e misionareve E.Durham, R.W.Lane ….në Shqipëri
Edith Durham (1863-1944) shkrimtare antropologe, qëndroi për 20 vjet nëpër Ballkan,por më shumë u fokusua në çështjen shqiptare. Në 7 librat e saj vepra “Shqipëria e Epërme” është më e spikatur, ku përkrahu pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve:
“Ishte revolta e Shqipërisë veriut që u dha mundësi turqëve të rinj të rrëzojnë turqit e vjetër” shkruante E. Durham.
Si dëshmitare për masakrat serbe, të cilat i kishte denoncuar kohë pas kohe, i quante ata me termin “Krimbi Serb.”
“Mbretëresha e Malësorëve” të cilën e nderonin shqiptarët, si heroinë kombëtare, merrte pjesë në kuvendet e burrave dhe trajtohej si burrneshat e maleve.
Antropologia dhe shkencëtarja skoceze Margaret Hasluck (1885-1948) studente e Kembrixhit jetoi 18 vjet në Elbasan, autore e disa librave si “Ligji i pashkruar në Shqipëri” koleksioniste tekstilesh dhe e materialeve folklorike e më shumë se 100 objekteve e fotografive, ka mbetur i gdhendur emri i saj “Angleska” në vendet ku ka lënë gjurmë,rrugë, shtëpi , muze …. në Elbasan
Rose Wilder Lane (1886-1968) shkrimtare, gazetare, erdhi në Shqipëri, në Shkodër, e dërguar nga Kryqi Kuq Amerikan, të ndihmonte refugjatët nga Kosova. E dashuruar me Shqipërinë i forcoi, lidhjet, kur adaptoi djalin R.Meta nga Vuthaj, të dëbuar nga serbët, të cilin e dërgoi në shkollat më të larta deri në Kembrixh. Për djalin shpirtëror, vuri në lëvizje diplomacinë amerikane për t’i shpëtuar jetën, nga dënimi kapital i qeverisë komuniste.Emri i saj lexohet me shkrimet që ka lënë për shqiptarët,si “Majat e Shalës” dhe shumë botime për ngjarje të jetuara në Shqipëri.
Po këte rrugë ndoqi edhe Antropologia nga Norvegjia, B.Baker e cila u lidh shumë me shqiptarët, por u familjarizua me Kosovën, duke luftuar pa pushim për të ndërkombëtarizuar çështjen e saj.
Studiuesja e Diplomuar në Universitetin e Oslos, për Antropologi, Filozofi, SociologjI, fliste dhe përkthente shqip. Në të njëjtën kohë si aktiviste për të drejtat e njeriut, themeloi Komitetin e Helsinkit në Prishtinë 1989 dhe në Tiranë 1991.
Pa e ndalur misionin e saj themeloi një qendër informative për kosovarët e shpërngulur në Norvegji.më 1980.
U bë një emër i njohur në revista ndërkombëtare duke botuar për shoqërinë tradicionale shqiptare.
Libri I saj “Prapa mureve të gurta” një studim antropologjik, sociologjik për strukturën e familjes shqiptare në Kosovë, për kulturën heroike të fiseve shqiptare në të kaluarën….me të cilën mbrojti Tezën në Universitetin e Oslos 1979, u bë një vepër studimi për Albanologët si R.Elsie e tjerë

Duke qenë bashkautore e dy filmave dokumentarë, për traditat e shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri, siç ishte filmi “ Shqiptarët e Rrogamit”…..Ajo e pasqyroi dhe e dokumentoi me figurë, e me zë, dashurinë e saj për virtytet e larta të një populli heroik.
Ndaj e quajtën “Heroina e Kosovës” që përshkoi me këmbë fshatin Isniq të Deçanit, Luginën e Rugovës dhe pas 90-tës, iu ngjit përpjetë edhe majave të Tropojës, duke pasqyruar reliket më çmuara të fiseve tradicionale shqiptare.
Ekspozitën që organizoi me fotografen Ann Christine Eek në vitin 1990, për kulturën shqiptare, dhe shumë projekte të reja, që kishin planifikuar së bashku, e la Ann Chrisine t’i zbatonte e vetme se jeta e saj u ndërpre para kohe.
Berit Baker nuk jetoi shumë se një mendjesëmurë i mori jetën, por Berit Baker la shumë….Gjithë trashëgimia e saj me libra shqip, studime, e fotografi i janë dhuruar Muzeut Etnografik pjesë e Muzeut të trashëgimisë kulturore në Universitetin e Oslos.
Një editor I njohur John Halliday e ka quajtur Berit “ Një Ekspert Shqiptar”…(an Albanian expert) Disa momente nga jeta e saj.
Ajo jetoi në vendin më verior të Evropës, ku të ftohtit dhe ngricat mbulojnë tokën në pjesën më të madhe të vitit. U rrit dhe u edukua në vendin me njerëz të kulturuar të qytetëruar me një harmoni dhe ngrohtësi shpirtërore sa e zbusin edhe klimën përreth. E tillë ishte edhe Nordikja e cila jetonte në Norvegji, por zemrën e kishte në Kosovë. Ajo kishte në vetvete një zjarr dashurie për njerëzit në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti. Në vitet 1974-75 nuk mundi të vinte në Shqipëri, në kushte të rrepta survejimi, por kaloi nga Mali i Zi, në Kosovë.
Si studiuese e kulturës shqiptare; dokeve,zakoneve, gjuhës dhe e shpirtit të popullit shqiptar ajo u afeksionua pas tyre, sa u bë bijë për shpirtë e “Nënës Kosovë . Kaq të bukura i dukeshin veshjet shqiptare, sa i vishte edhe vetë me kënaqësi. Për këte flasin fotografitë që ka lënë me veshje popullore të zonave të ndryshme si ajo e Isniqit të Deçanit e Rugovës.
Zonja Berit Baker shkonte e vinte në Kosovë si në shtëpinë e vet. Ajo qante bashkë me nënat e motrat shqiptare në ditët e përgjakshme të masakrave serbe ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptare Ajo nuk heshti kurrë, para mizorive serbe, zëri i saj dëgjohej deri në forumet më të larta ndërkombëtare në mbrojtje të drejtave njerëzore. Humanistja B.Baker, bukurinë e shpirtit të saj e tregoi në ditët e zisë për bukë në Kosovën e vitit 1980. Ajo u angazhue në dërgimin e ndihmave humanitare në Kosovë dhe jepte e merrte mesazhe për të përmirësuar gjendjen e rëndë të shqiptarëve nga antinjerëzorët, Gjithmonë kërkonte barazi,drejtësi, harmoni midis popujve, në këte drejtim bëri një punë të jashtzakonshme, për të liruar të burgosurit politikë kosovarë duke u lidhur me organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut, siç e pohonte Z.A.Demaçi.
Lidhjet me shqiptarët, I shtrëngoi edhe më shumë, kur mori për të rritur Besmirën e vogël jetime, një vajzë shqiptare, të cilën e adaptoi me vendim të Gjykatës së Tiranës, në Maj të vitit 1992(,pas shumë negociatash të gjata, të Autoriteteve Norvegjeze me ato Shqiptare.)
Berit Baker u bë me vajzë, gëzim i papërshkrueshëm.
Një vit më pas iu ndal jeta,në kohën kur kishte shumë detyra për të kryer; shkencore dhe humanitare, gjithashtu kishte marrë përsipër të ndante dashurinë me vajzën, të merrej me edukimin e saj, por dora kriminale e këputi në moshën më të bukur. Ajo u varros me nderimet më të larta nga qytetarët e saj dhe nga vëllezërit dhe motrat shqiptare, të cilët e ndien thellë humbjen e saj. Në ceremoninë mortore para varrimit, Adem Demaçi, i përlotur përcolli letrën me këto fjalë; “Norvegjia mike humbi bijën e vet fort të çmuar, humbi një humaniste e shkencëtare, shumë të zellshme, kurse ne shqiptarët mbetëm pa të vetmen motër norvegjeze që kishim”.
8 Marsi i vitit 1993 ishte zgjuar me lajmin e gobshëm, ku të gjitha gazetat Norvegjeze lajmëronin për vdekjen e Berit Baker.
Përfaqësuesja e Federatës Internacionale të Helsinkit Y.Zeltman shkruante: “Berit Baker ishte mike e gjithë shqiptarve e konfirmuar në të gjitha drejtimet.Vdekja e saj është humbje për kauzën e të drejtave të njeriut, që ne ndjejmë se kemi humbur një nga kryqtarët më të mëdhenj humanitar.”
Një i sëmurë mendor I mori jetën aktivistës paqësore, e cila e kishte ndihmuar, vrasësi u dënua.
Po sot që po vritën mijëra njerëz të pafajshëm, nga një revansh i paparë për të marrë jetë njerëzish në shtëpitë e tyre, në tokën e tyre, është e paimagjinueshme. A mund të ndalet ky kërcënim që i bëhet njerëzimit nga mendje të sëmura, që janë zgjuar me ëndrren e vjetër, për të dominuar njerëzimin. Të shpresojmë për Paqë të shpejtë, që të mos traumatizohen të rinjtë e fëmijët nga hijenat e zeza të luftës.Të besojmë në Mendjet e Shëndosha, që të bashkojnë vullnetin e tyre, për të ndalë krimin dhe shkatërrimin.