Ambasadori Luixhi Soreka theksoi se integrimi në Bashkimin Europian “është shumë më shumë se një proces teknik” dhe se “udhërrëfyes duhet të jetë raporti i fundit i progresit nga Komisioni Europian”
Knid Ndrenika
Ambasadori Luixhi Soreka tha në Tiranë se institucionet e Shqipërisë duhet të dyfishojnë përpjekjet për procesin e integrimit europian.
“Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet e saj, të ketë atë shndërrim socio-ekonomik që i duhet vendit dhe të bëhen bashkë të gjithë aktorët nga pjesët e ndryshme të politikës në vend dhe gjithë segmentet e shoqërisë dhe kjo është vlera e shtuar që sjell Këshilli Kombëtar”-tha zoti Soreka
Në fjalën që mbajti në ceremoninë çelëse të Shkollës së Integrimit Europian 2021, euroambasadori theksoi se është përparësi shumë e madhe që shumica dërrmuese mbështet rrugën drejt BE-së.
Euroambasadori kujtoi se në Shqipëri më shumë se 80% e popullsisë mbetet mbështetëse shumë e fortë e integrimit.
Ambasadori Soreka theksoi se integrimi në Bashkimin Europian “është shumë më shumë se një proces teknik” dhe se “udhërrëfyes duhet të jetë raporti i fundit i progresit nga Komisioni Europian”.
Ai shtoi se rekomandimet që jepen në raportin e Komisionit Europian identifikojnë fushat ku duhet të punohet më shumë.
Zoti Soreka i ceku se këto lëmi janë historiku për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat e pakicave si udhërrëfyes jo vetëm për qeverinë por dhe gjithë institucionet që të fokusohen gjatë javëve të ardhshme.
Ndërkaq, ambasadori theksoi se procesi i eurointegrimit po ndodh çdo ditë në Shqipëri dhe se Bashkimi Europian mesatarisht i jep Shqipërisë çdo vit 100 milionë euro duke kontribuar për këtë transformim të të gjithë sektorëve të shoqërisë.
“Ky investim që gjatë 15 viteve të fundit ka arritur shifrën 1.5 miliard euro në grante, donacione, para të dhëna, ka ndërtuar infrastrukturën madhore të Shqipërisë”-tha zoti Soreka.