Sorensen: Kosova dhe Serbia vendosin vetë nëse do të bëjnë kompromise

Prishtinë, 17 mars 2025 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili erdhi për herë të parë në Kosovë prejse u emërua në këtë detyrë, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, Sorensen tha se ai po punon për vazhdimin e dialogut mes palëve, ndërsa vendimet që do të merren gjatë dialogut, përfshirë komptromiset e mundshme, u takojnë vetë palëve.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen, pas takimit me kryeministrin Kurti.

Ai e quajti takimin me Kurtin “fillim të mirë”.

“Ishte një takim prezantues, folëm për atë se si mund të vazhdojë procesi përpara. Është një fillim i mirë”, tha Sorensen.

“Sapo t’i kem bërë këto biseda [me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë], mund të ulem dhe të vlerësoj se ku jemi. Por, është shumë e qartë që procesi i dialogut mban në vete edhe një numër të madh të zhvillimeve të rëndësishme dhe duhet të merremi edhe me to”, shtoi ai.

Ndfërkaq Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se kryeministrei Kurti ka kërkuar zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti, gjatë takimit me z. Sorensen, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i heqë masat kufizuese të padrejta, të cilat janë vënë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Brukseli i kishte fajësuar të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për tensionimin e situates, por vendosi masa ndëshkuese vetëm për Kosovën.

“Kryeministri kërkoi nga emisari Sørensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftim.

  1. Sorensen është takuar edhe me kryenegociatorin e Kosovës, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ndër të tjera, z. Bislimi e ka akuzuar Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve të arritura deri më tash në kuadër të dialogut, ndërsa e ka vlerësuar qëndrimin e BE-së se sjellja e Serbisë në takimin e Këshillit të Evropës më 5 mars, kur Kosova u hoq nga rendi i ditës për të fituar statusin e shtetit mysafir special, përbën shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës Serbia nuk do të pengonter anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Peter Sorensen e mori më 1 shkurt detyrën e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, në vend të sllovakut Mirosllav Lajçak.

Sotrensen nuk e ka ndërmjetësuar ende ndonjë takim mes Kosovës dhe Serbisë, por është takuar ndaras me zyrtarë të të dyja vendeve, në përpjekje për ta çuar përpara dialogun.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha muajin e kaluar se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo paralajmëroi se, së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

(r.m.)