Sot mbahet seanca për Kosovën në KS të OKB-së

Nju Jork, 23 tetor 2023 – Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) sot do të diskutojë për raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Seanca do të fillojë në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Kosovën do ta përfaqësojë Preesidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ndërsa Serbinë do të përfaqësojë Kryeministrja Ana Bërbabiq.

Në raportin për periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023, të cilin do ta prezantojë në seancë kryetarja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, dënohen fuqishëm sulmet ndaj forcave të KFOR-t në Zveçan nga grupet kriminale serbe dhe u bëhet thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të shtojn tensionet në Kosovë

“U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve të njëanshme që mund të çojnë në forcimin e tensioneve dhe përshkallëzim të mëtejshëm. Përshkallëzimi i tensioneve dhe incidenteve të sigurisë në maj dhe qershor ndikoi negativisht në procesin e dialogut, i cili mbetet mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në raportin e Guterres.

Raporti nuk përfshin sulmin terrorist të grupit paramilitar serb në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, më 24 shtator.

Guterres shpreh shqetësimin që palët nuk kanë bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën palët janë pajtuar deklarativisht në Bruksel, si edhe të Aneksit të marrëveshjes, me të cilin palët janë pajtuar në Ohër.

“Mungesa e progresit në dialog mbart rrezikun e tensioneve të mëtejshme dhe përshkallëzimit të mundshëm në terren”. U bëj thirrje palëve të konfirmojnë angazhimin e tyre të vërtetë për dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani”, thuhet në raportin e Guterres.

Në raport bëhet thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Është thelbësore të gjendet një zgjidhje për mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe gjithëpërfshirëse lokale në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, në mënyrë që të ulen tensionet dhe të ecim përpara”, thuhet në raport.

Në raport, përshëndetet Deklarata për Personat e Zhdukur, të cilën Beogradi dhe Prishtina e miratuan më 2 maj në Bruksel, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe u bëhet thirrje palëve t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij dokumenti.

Guterres ka përsëritur thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit.

“Do të ishte shenjë e përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues dhe do të shtonte besimin e publikut në institucionet e saj”, thuhet në raport.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kishte paralajmëruar pak kohë më parë se seancat për Kosovën mund të mbyllen për publikun, për shkak të përplasjeve mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Por, deri më tash nuk ka njoftim zyrtar se seanca e nesërme nuk do të jetë e hapur për publikun.

(r.m.)