Prishtinë, 14 nëntor 2021 – Në 21 komuna të Kosovës sot zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.
Rreth 1 milion e 270 mijë qytetarë mund të votojnë në 1 mijë e 638 vendvotime
Mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare do të ndjekin procesin e votimeve.
Në qendër të vëmendjes pritet të jenë zgjedhjet në Prishtinë, por edhe në Prizren, Gjilan e Gjakovë.
Në garë për kryetar të kryeqytetit, Prishtinës, janë: Arben Vitia, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Përparim Rama, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kandidat i Vetëvendosjes është Arben Vitia, ish-ministër i Shëndetësisë deri në prag të zgjedhjeve, kurse kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës është Përparim Rama, arkitekti që ka realizuar projekte impresive anekënd botës.
Për kryetar të Gjilanit garojnë Lufti Haziri, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Alban Hyseni, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Në garë për kryetar të Prizrenit kanë mbetur Mutaher Haskuka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Shaqir Totaj, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, kurse në Gjakovë garojnë Ardian Gjini, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Mimoza Kusari – Lila, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në 17 komunat tjera kryetarët u zgjodhën në raundin e pare të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi në katër komuna (Mitrovicë Jugore, Ferizaj, Skenderaj dhe Han i Elezit). Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna (Pejë e Lipjan). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi gjithashtu në dy komuna (Suharekë dhe Deçan).
Por, numrin më të madh të komunave e fitoi Lista Serbe. Kjo parti që kontrollohet nga Beogradi fitoi bindshëm në 9 prej 10 komunave të banuara me shumicë serbe, të cilat janë ndërkomunat më të vogla të Kosovës.
Një ekip vëzhguesish i Bashkimit Evropian, vlerësoi se zgjedhjet e 17 tetorit ishin “të organizuara mirë” dhe se gjatë fushatës “u respektuan liritë themelore”.
Të gjithë kandidatët për kryetarë të 21 komunave, që kanë shkuar në balotazh:
Prishtinë: Arben Vitia (LVV) dhe Përparim Rama (LDK);
Prizren: Mytaher Haskuka (LVV) dhe Shaqir Totaj (PDK);
Gjilan: Lutfi Haziri (LDK) dhe Alban Hyseni (LVV);
Gjakovë: Ardian Gjini (AAK) dhe Mimoza Kusari-Lila (LVV);
Podujevë: Ekrem Hyseni (LDK) dhe Shpejtim Bulliqi (LVV);
Vushtrri: Ferit Idrizi (PDK) dhe Xhafer Tahiri (LDK);
Fushë Kosovë: Burim Berisha (LDK) dhe Enver Bajçinca (LVV);
Istog: Ilir Ferati (LDK) dhe Bekë Berisha (AAK);
Viti: Sokol Haliti (LDK) dhe Arsim Ademi (LVV);
Klinë: Zenun Elezaj (AAK) dhe Esat Raci (PDK)
Rahovec: Smajl Latifi (AAK) dhe Visar Korenica (LVV)
Gllogovc: Ramiz Lladrovci(PDK) e Driton Ajazit (Demokratët për Drenasin)
Kaçanik: Besim Ilazi (PDK) dhe Jeton Raka (LVV);
Shtime: Qemajl Aliu (LVV) dhe Naim Ismajli (PDK);
Dragash: Bexhet Xheladini (LDK) dhe Shaban Shabani (PDK);
Obiliq: Xhafer Gashi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin) dhe Halil Thaçi (LVV);
Kamenicë: Qëndron Kastrati (PSD) dhe Kadri Rahimaj (LVV);
Malishevë: Ekrem Kastrati (Nisma Socialdemokrate) dhe Isni Kilaj (PDK);
Junik: Agron Kuçi (AAK) dhe Ruzhdi Shehu (LDK);
Kllokot: Vladan Bogdanoviq (LS) dhe Strahinja Spasiq (Iniciativa Qytetare Srpska Narodna Sloga);
Mamushë: Abdulhadi Krasniç (PDTK) dhe Ariif Bytyç (KATP);
(r.m.)