Nju Jork, 23 maj 2024 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për një propozim-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.
Debati për këtë u projekt-rezolutë që është sponsorizuar nga tridhjetë vende është paraparë të nisë në orën 16:00, sipas kohës së Nju Jorkut.
Rezoluta propozon që 11 Korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, e dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës. Ajo “i dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës”.
Rezoluta, e cila është hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, ka shkaktuar reagime të ashpra në Republikën Serbe, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi, ndonëse ajo nuk e emërton si fajtore Serbinë. Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar një fushatë agresive kundër miratimit të kësaj rezolute, nga frika se me miratimin e saj serbët do të konsiderohen si mbështetës të vrasjeve massive dhe akteve gjenocidale.
Vuçiq e Dodik kanë shprehur frikën se miratimi i rezolutës mund të krijojë mundësinë që Serbisë t’i kërkohet edhe të paguajë dëmet e luftës. Por, disa analistët në Serbi se dy udhëheqësit serbë kanë frikë edhe se mund të gjykohen për pjesëmarrje aktive në krimet luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnës e Hercegovinë gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë serbe, Ratko Mlladiq, janë dënuar për gjenocid në Srebrenicë nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të luftës, me seli në Hagë. Në përgjithësi, gjykatat në Ballkan i kanë dënuar me burgime të gjata afër 50 zyrtarë serbë të Bosnjës të kohës së luftës.
Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ata i ndanë nga grate të paktën 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë dhe i vranë në pyjet përreth qytetit.
Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë e Hercegovinë, e cila ishte pasojë e aspiratave të serbëve për zgjerimin e territoreve të Serbisë.
Milorad Dodik është kërcënuar shpesh me shkëputjen e Republikës Serbe nga Federata e Bosnës e Hercegovinës dhe me bashkimin e saj me Serbinë fqinje. Ai edhe tani kërcënohet me shkëputjen e Republikës Serbe. Në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se rezoluta e OKB-së do të shpie pashmangshëm në shkëputjen e Republikës Serbe.
“Me vendimin mbi rezolutën mbi Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është nënshkruar fundi i Bosnjës e Hercegovinës dhe nesër nga mbledhja e Qeverisë së Republikës Serben ë Srebrenicë do t’i propozohet pales federale ndarje paqësore. Tani mbetet që ne të gjithë të bëjmë përpjekje për të qenë fqinjë të mirë dhe të ndahemi në paqe”, ka thënë Dodik.
Dodik dhe disa zyrtarë të tjerë të Republikës Serbe janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe për mosrespektimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i kishte dhënë fund luftës së përgjakshme në Bosnë e Hercegovinë.
Në tekstin final të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë kundështohen kategorikisht aktet që do të cenonin twrwsinw territorial tw Bosnës e Hercegovinës. Aty shprehet “angazhimi i palëkundur i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për ruajtjen e unitetit të Bosnës e Hercegovinës”.
(r.m.)