Sot në Shqipëri mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor

Tiranë, 14 maj 2023 – Në Shqipëri sot mbahen zgjedhjet për kryetarë të bashkive dhe për përbërjen e këshillave bashkiake.

Në 61 bashki të vendit janë hapur 5.213 qendra të votimit, në të cilat do të votohet në dy fletëvotime të ndryshme. Me ngjyrë të verdhë është fletëvotimi për kryetarin e bashkisë, ndërsa me ngjyrë gri është fletëvotimi për anëtarë të  këshillave të bashkive.

Për pjesëmarrje në këto zgjedhje janë regjistuar 44 subjekte politike, nga të cilat 38 parti janë jashtë koalicioneve, përfshirë partinë më të madhe në vend, Partinë Socialiste, e cila ka hyrë e vetme në garë. 6 parti janë grupuar në 2 koalicione, të cilat koordinohen nga grupimi i Sali Berishës. Koalicioni më i madh është “Bashkë fitojmë”, ku grupimit të Berishës iu bashkuan partitë e Ilir Metës, Vangjel Dules dhe Nard Ndokës. Me këtë koalicionin, Berisha ka kandidatë për kryetar dhe për anëtarë të këshillave në të gjetha bashkitë.

Krijimi dhe garimi i këtij koalicioni u shoqërua me debate, sepse KQZ e pastaj edhe gjykata nuk pranuan që Berisha të ishte kryetar i tij, kështuqë në fletëvotimi është emri i Ilir Metës si kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Pas një lufte të gjatë politike dhe juridike, PD-ja është subjekt më vete në fletën e votimit, me kryetar Enkelejd Alibeajn. Por, PD nuk merr pjesë plotësisht në zgjedhje. Ajo garon në vetëm 14 bashki për kryetarin, ndërsa aspiron këshilltarë bashkiakë vetëm në 57 njësi.

Sot garojnë edhe 12 kandidatë të pavarur, 10 për anëtarë të këshillave dhe 2 për kryetarë bashkie (në Devoll e në Sarandë).

Në total, pjesë e kësaj gare janë 23.907 kandidatë që aspirojnë një vend për pushtetin lokal.

Edhe në këto zgjedhje, siç ndodhi në vitin 2021, pothuajse në gjithë vendin identifikimi i votuesve do të bëhet përmes pajisjeve elektronike. Në 3 bashki të rëndësishme, elektronik do të jetë jo vetëm identifikimi, por edhe votimi dhe numërimi i votave.

Elbasani e Kamza e aplikojnë këtë proces për herë të parë, ndërsa Vora e ka ekpserincë të përsëritur, pasi e bëri edhe në zgjedhjet e pjesshme të vitit të shkuar.

Ky proces ka kushtuar miliona euro, por KQZ po e eksperimenton me garancinë se fshehtësia e votës ruhet, nuk ka vend për manipulime, dhe se rezultati del brenda pak minutash nga mbyllja e qendrës së votimi.

(r.m.)