Tiranë, 13 shtator 2022 – Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka thirrur për sot (e martë) protestën e parë kundër Qeverisë së Kryeministrit Rama. Protesta do të mbahet përpara inceneratorit të Tiranës, në orën 18:00.
Meta ka thënë se kjo është protestë e qytetarëve dhe se kryefjalë e saj do të jetë afera e inceneratorëve.
“NDIHESH I VJEDHUR? EJA EDHE TI! Afera e inceneratorëve është ‘kryevepra’ e korrupsionit. Është vjedhja më e madhe që u është bërë qytetarëve shqiptarë. Popullit i kërkojnë të kursejë, ndërsa Qeveria nuk ndalet së vjedhuri në kulmin e krizës. Të gjithë në protestë më 13 shtator, ora 18:00, tek inceneratori i Tiranës!”, shkruan Meta në thirrjen që i bashkangjitet spotit të protestës.
https://www.facebook.com/watch/?v=857330508760712
Meta ka thënë se kryeministri Ramado të rrëzohet përmes protestave dhe përmes institucioneve.
“Ky regjim do të rrëzohet me protesta dhe me zgjidhje. Do të jenë të kombinuara. Nuk do të heqim dorë kurrë nga institucionet. Në Parlament do të bëjmë maksimumin, aq sa mund të bëjmë, por lëvizja qytetare është një domosdoshmëri. Nesër në protestë! Pastaj do të ketë protesta të tjera. E kemi marrë me shumë vendosmëri këtë”, ka thënë Meta në një intervistë për televizionin MCN.
Meta ka thënë se Partia e Lirisë do të bashkëpunojë me të gjitha forcat opozitare që angazhohen për rrëzimin e Qeverisë “Rama”.
“Përkushtimi im që nga mbrëmja e 25 korrikut është i pandalshëm. Duhet zgjeruar bashkëpunimi me aktorët e tjerë, por unë e ndiej si një obligim për të energjizuar opozitarizmin me shpejtësi maksimale”, ka thënë ai.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje të rinjve dhe qytetarëve që të ngrihen në protestë për ta larguar qeverinë e Kryeministrit Rama.
“Asgjë më shpresëdhënëse se sa ju në këtë betejë nuk ka. Duhet guximi i rinisë. Është jetik për ta shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim, guximi, kontributi, angazhimi juaj. Gjërat duhet t’i shohim siç janë”, ka thënë Berisha.
(r.m.)