Prishtinë, 30 gusht 2021 – Sot pritet të arrijë grupi i dytë i shtetasve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë
Ministri I Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se grupi i dytë i afganëve do të transportohen me dy aeroplanë, të cilët pritet të aterrojnë në Prishtinë në orët e mbrëmjes.
Sveçla nuk tregoi se sa afganë pritet të arrijnë të hënën dhe as ku do të sistemohen ata.
Grupi i parë i shtetasve afganë që e kanë lënë vendin e tyre nga frika se do të pesojnë nga talibanët që e kanë marrë kontrollin në vendin e tyre arriti në Kosovë të dielën në mbrëmje.
Sveçla bëri të ditur se në grupin e parë ishin 111 shtetas afganë, midis të cilëve ka edhe gra, fëmijë dhe pleq, familjarë të bashkëpunëtorëve të qeverive të vendeve perëndimore dhe punëtorëe të organizatave ndërkombëtare apo të kontraktorëve të tyre në Afganistan.
Ata u vendosën në ish-kampin e punëtorëve të kompanisë ”Bechtel & Enka”, në afërsi të kampit ushtarak amerikan “Bonstill”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se afganët që kanë qenë punëtorë ose kontraktotë të aleatëve të Kosovës në Afganistan janë të mirëpritur në Kosovë.
“Si njerëz që kemi qenë viktima të një pushteti gjenocidal e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, prandaj jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në përpjekje të të gjithë partnerëve tanë në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe ata që vijnë në Kosovë të ndihen se më në fund janë të sigurt”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se për Kosovën është nder t’u dalë në ndihmë njerëzve që ishin të detyruar t’i braktisnin atdheun e shtëpitë e tyre.
“Është nder për mua, për ne, që kemi mundësi t’u ndihmojmë këtyre refugjatëve”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kosova është e gatshme t’u dale në ndihmë njerëzve në fatkeqësi dhe të ndihmojë aleatët e partnerët.
“Kur është në pyetje një çështje humanitare dhe kur janë në pyetje partnerët tanë, ne nuk themi ‘pse?’ por ‘si?’”, theksoi ai.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe të NATO-s apo me organizata ndërkombëtare në Afganistan.
(r.m.)