Southgate ngre peshë shqiptarët, Anglia me mision tre pikët në Poloni

Humbja në shtëpi në finalen e “Euro2020” nuk ka shuar urinë e “tre luanëve”, përkundrazi djemtë e Southgate duken shumë të motivuar, në dy sfidat e fundit kanë siguruar 2 fitore, 8 gola të shënuar asnjë i pësuar. Ishullorët po vërtetojnë edhe në kualifikueset e Botërorit se kanë një potencial të madh dhe dëshirojnë të rezervojnë sa më shpejt të jetë e mundur një biletë për në Katar. Anglia ka fluturuar drejtë Polonisë me një mision të qartë, të sigurojnë fitoren e radhës, që përballë rivalit të tyre direkt vlen më shumë se sa tre pikët, për këtë është i qartë edhe trajneri Southgate:

“Është një mundësi e shkëlqyer për ne të shkojnë në Varshavë dhe të synojnë fitoren në këtë sfidë që do të na jepte mundësinë për të pasur kontroll total në grupin tonë”, theksoi Southgate në konferencë për shtyp. Në përballjen e parë ndërmjet tyre Anglia fitoi me rezultatin 2-1, ndërsa pas 5 ndeshjeve e shohin veten në vendin e parë në kuotën e 15 pikë, pesë më shumë se sa Polonia e vendit të dytë. Kjo është një sfidë me një interes shumë të madh edhe për Shqipërinë pasi një fitore e mundshme e Anglinë përballë Polonisë dhe një fitore e mundshme e Shqipërisë përballë San Marino do të na dhuronte vendin e dytë në Grupin I.
(BalkanWeb)