Spahiu: Qeveria trajton emigrantët si turistë – u ka mohuar të drejtën për të votuar

Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci organizon takim të komunitetit shqiptaro amerikan me Kryetarin e Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu – Kreshnik Spahiu dhe Profesor Shinasi Rama nderohen me citime të nderit nga Presidenti i Manhattan-it Scott Stringer dhe Presidenti i Bronx-it Ruben Diaz Jr

 

Nën kujdesin e Alfred dhe Ernest Tolles Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci (FSHAD) organizoi të hënën më 19 Shkurt 2012 një takim të komunitetit shqiptaro amerikan me Kryetarin e Aleancës Kuqezi z.Kreshnik Spahiu në ambjentet e Restorantit Lura në Manhatan.
Në këtë takim ishin të pranishëm shumë organizata të diasporës dhe veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptaro amerikan.
Pas përshëndetjes hapëse të kryetarit të FSHAD Grid Rroji, u luajt himni kombëtar dhe u recitua një poemë epike nga aktori i mirënjohur Tomë Gjergji.
Më pas, kryetari i Fondacionit Shoqëror Shqiptaro Amerikan z. Esad Rizai u paraqiti z. Spahiu dhe Prof. Ramës çertifikatat e nderit të akorduara me rastin e pesëvjetorit të çlirimit të Kosovës nga presidenti i rajonit të Manhattan-it Skot Stringer dhe atij të Bronx-it Ruben Diaz Xhunior me motivacion kontributin për çështjen kombëtare shqiptare. Në fjalën e tij përshëndetëse Prof. Rama falenderoi të gjithë miqtë e pranishëm të cilët kanë kontribuar në çështjen kombëtare shqiptare dhe FSHAD për organizimin e këtij aktiviteti.
Fjalën e nderit e mbajti kryetari i AK-së z. Kreshnik Spahiu. Ai u shpreh se çmimi i dedikohet sakrificës së shqiptarëve ndër vite, atyre që u përpoqën për Pavarësinë e Kosovës dhe jetën e tyre ja dedikuan krejtësisht ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve”.
Më tej z. Spahiu u shpreh se shqiptarët punuan dhe djersitën për të ndërtuar Nju Jorkun, Bostonin, Çikagon, Londrën, Romën dhe shumë qendra të tjera botërore, por ata nuk mundën të ndërtojnë atdheun e tyre. Ai theksoi se tashmë disa breza kanë braktisur familjet dhe tokën shqiptare të detyruar nga regjimet politike, në disa raste të huaja në disa raste shqiptare.
“Sot, në atdhe ju priteni si të huaj, sepse qeveria jonë ju numëron si turistë dhe ju ka mohuar të drejtën për të votuar. Shqiptarët nga Kosova e Çamëria, Ulqini e Tetova, Tirana e Shkodra, të gjithë në vitin 2013 duhet ta shndërrojmë nga 100 vjetori i copëtimit në nisjen e shekullit të ndryshimit të kombit shqiptarë. Ejani së bashku të ndryshojmë regjimet politike dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në tokën e premtuar”- përfundoi fjalën e tij z. Spahiu.
Më pas, Forumi shtroi një pritje koktej për të gjithë të pranishmit.