SPAK dërgon për gjykim italianët bashkëpunëtorë të Rezart Taçit

Tiranë, 12 janar 2024 – Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten se i ka përfunduar hetimet dhe e dërguar në gjykatë dosjen hetimorë ndaj tre shtetasve italianë që dyshohen se bashkëpunuan me ish-manjatin kontrovers të Rezart Taçi dhe dy persona pranë tij.

“Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në konkluzionin se të pandehurit Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me shtetasit shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo (të dërguar në gjykim më parë në kuadër të procedimit të lidhur), në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Personat e dërguar për gjykim akuzohen për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Çështja ndaj Artur Ballës dhe Bledar Lilos është përfunduar më herët nga Gjykata e Posaçme. I pandehuri Artur Balla u dënua në shkallë të parë me 11 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 7 vjet e 4 muaj burgim, ndërsa ndaj të pandehurit Bledar Lilo u caktua dënimi përfundimtar me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie. Të dy vendimet u lanë në fuqi në Apel.

Gjykata e Posaçme ndërkohë ka nisur gjykimin edhe ndaj biznesmenit kontrovers Rezart Taçi. Ndërkohë është konfiskuar shuma prej 18.3 milion euro që sipas gjykatës u përket transaksioneve me qëllim pastrimin e parave. “Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK në njoftim.

Skema financiare u zbulua në vitin 2021 dhe solli urdhër ndalime ndaj të dyshuarve në Itali e Shqipëri.

(Reporter.al)