Tiranë, 12 dhjetor 2022 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim rastin e inceneratorit të Elbasanit. Nën akuzë janë 10 persona, nga ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar dhjetorin e vitit të kaluar, dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako, i arrestuar në mars të këtij viti, te zyrtarë të komisioneve të prokurimit, dhe sipërmarrësit e përfshirë, që janë në arrati, Stela Gugalla, ortake e vetme dhe administratore e shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, Klodian Zoto, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin, si dhe Mirel Mërtiri, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë“Albtek Energy” sh.p.k.
Prokuroria shpjegon se “nga hetimet e kryera është provuar se në proçedurën e dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit”. Po ashtu “nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar proçedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e proçedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit”, në kundërshtim më kuadrin ligjor dhe sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit publik. Për këtë arsye, për të shtatë zyrtarët rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndërsa për ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe tre sipërmarësit, rëndojnë po ashtu dhe dy akuza të tjera për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë përmes kompanive të përfshira janë pranuar fatura fiktive dhe janë kryer pagesa për punë të pakryera për afro 3 milion euro. Më shumë se 90 përqind e kësaj vlere, ka shkuar sipas prokurorisë, në formën e ryshfetit, në favor të ish ministrit Koka, “duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”.
Hetimet janë mbyllur dhe për inceneratorin e Fierit, ku janë të përfshirë të njejtët sipërmarrës, e po ashtu dhe ish ministri Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako, përveç zyrtarëve të tjerë edhe lokalë, apo dhe drejtuesë shoqërishë tregtare private.
Mbi rastin e inceneratorëve ka patur debate të shumta dhe janë hedhur dyshime se shumë aspekte apo fakte të dala në dritë, nuk janë hetuar siç duhet. Por prokuroria sqaroi sot se ajo ka vendosur ndarjen e çështjes penale për “rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në proçedurën e kalimit per miratim në Këshillin e Ministrave të projekt vendimit të propozuar nga Ministria e Mjedisit mbi bazën e të cilit është miratuar më pas vendimi i qeverisë që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së konçensionit”.
Po ashtu vijojnë hetimet paraprake për abuzime të mundshme nga funksionarë të ministrive të ndryshme, “përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto”.
Po hetohen sipas prokurorisë dhe pretendimet se ka pasur mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës konçensionare, apo rrethanat dhe faktet që lidhen me personat e tjerë nën hetim, persona fizikë dhe personat juridikë, apo bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurit për pastrimin e parave, apo dhe elementë të tjerë.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)