SPAK dërgon për gjykim tre të akuzuar për trafik narkotikësh drejt Francës

Tiranë, 30 dhjetor 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije të hënën se kishte dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Redian Dodës, Zabit Fisnikut dhe Fabi Isakut, të tre të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

SPAK bëri me dije se hetimet ndaj grupit ishin kryer nga një skuadër e përbashkët hetimore me autoritetet franceze, ku grupi dyshohet se dërgonte narkotikë.

“Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve”, thuhet në njoftim.

SPAK bën me dije se tre personat për të cilët u dërgua dosja për gjykim ishin identifikuar si drejtues të narkotrafikut. “Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve”, thotë prokuroria.

SPAK thotë se hetimet gjetën që të akuzuarit ishin përfshirë në tre episode të trafikut të narkotikëve, kryesisht në drejtim të Lionit. 

“Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës dhe Savojës së sipërme”, thuhet në njoftim.

Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në një sërë zonash në Francë, përfshi qarqet e Rhone, Ain, Savojë dhe Savojës së Sipërme.

(Reporter.al)

Comment

*