SPAK i sekuestron në jug të vendit 90 pasuri në zotërim të krerëve të narkotrafikut

Tiranë, 6 mars 2025 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sot venien nën sekuestro preventive të 90 pasurive të luajtshme e të paluajtshme, “në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë” të Kristo Qiricit, Eldjan Allushajt dhe Shkëlzen Krajës, të dyshuar si drejtuesë të një organizate kriminale e cila merrej me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në zonën e Sarandës. Pak ditë më parë ndaj tyre dhe anëtarëve të tjerë të organizatës, si dhe të një grupi tjetër që vepronte në zonën e Gjirokastrës, u lëshuan 10 urdhëra arresti.

Pjesa më e madhe mësohet të jetë larguar prej kohësh nga vendi, ndërkohë që u arrestuan dy shefa policie, një i tretë u shpall në kërkim, ndërkohë që në pranga, përfundoi dhe një ish punonjës policie. Të gjithë dyshohen të kenë bashkëpunuar me dy organizatat kriminale, që vepronin në jug të vendit. Bëhej fjalë për Shkëlzen Ruskën, shef i Krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj, shef i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Elvis Dervishin, shef i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë dhe Erdit Hazizaj, ish punonjës i policisë, i cili ka qenë pjesë dhe e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit.

Pasuritë e vëna nën sekuestro përfshijnë një hotel në Sarandë, njësi të shumta shërbimi me sipërfaqe të mëdha, jo vetëm në qytetin bregdetar por dhe në Tiranë, garazhe dhe apartamente, sipërfaqe të mëdha trojesh dhe tokash bujqësore në zonë të ndryshme të vendit, kryesisht në bregdetin jugor, si dhe vila në resorte në bregdet apo dhe në periferi të kryeqytetit.

Sekuestro është vënë dhe ndaj tre aktiviteteve, nga të cilat dy si person fizik dhe një tjetër shoqëri tregtare. Masat e Prokurorisë kanë prekur gjithashtu dhe 39 llogari bankare të shpërndara në katër banka të ndryshme të vendit, të cilat ishin kryesisht në emër të personave të lidhur me të dyshuarit.

Prokuroria nuk dha një vlerë të pronave të vënë nën sekuestër, por nisur nga numri i madh i tyre, vendodhja dhe sipërfaqja, mund të bëhet fjalë për të paktën dhjetra milionë euro.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*