Tiranë, 31 janar 2022 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka kërkuar dënimin me 12 vjet burg për ish-ministrin Saimir Tahiri. Ky dënim reduktohet në 8 vjet burg, në bazë të gjykimit të shkurtuar.
Seanca ndaj ish-ministrit Tahiri që po mbahej në Gjykatën e Apelit të GJKKO-së,
është ndërprerë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Seanca e radhës, kur pritet të jepet vendimi final do të mbahet më 4 shkurt, në ora 13:00.
E njëjta masë është kërkuar edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën.
Ish-ministri Tahiri i ka kërkuar trupit gjykues më shumë kohë për shqyrtimin e provave.
“Ju kërkoj me përulesi të na jepni kohë për shqyrtimin e provave, sepse do ta dini se jam i pafajshëm”, është shprehur Tahiri.
Saimir Tahiri ishte akuzuar fillimisht për trafik droge dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, por ishte dënuar me 5 vjet burg për “shpërdorim detyre”. Ky dënim ishte konvertuar në 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane e goditën një grup të strukturuar kriminal të trafikut të marihuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.
(r.m.)