SPAK kërkon 4 vjet burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako

Tiranë, 12 nëntor 2024 –  Prokuroria e Posaçme kërkoi deklarimin fajtor për shpërdorim detyre të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako në dy raste dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 2 vjet e 8 muaj. Për tre të bashkëpandehurit e tjerë për falsifikim dokumentesh u kërkua dënimi me 3 vjet burgim që reduktohet në 2 vjet për secilin për shkak të uljes së një të tretës, si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkoi të martën më 12 nëntor deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe të tre të bashkëpandehurve të tjerë për paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Gjatë parashtrimeve të konkluzioneve përfundimtare, prokurori Sotir Kllapi kërkoi dënimin e Vangjush Dakos për shpërdorim detyre në dy raste me 2 vjet e 9 muaj dhe 2 vjet e 4 muaj. Në bashkim të dënimeve u kërkua dënimi me 4 vjet heqje lirie, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbeti në masën 2 vjet e 8 muaj burgim.

Për tre të pandehurit e tjerë për falsifikim të dokumenteve, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, prokurori Kllapi kërkoi dënimin minimal me nga 3 vjet heqje lirie, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 2 vjet për secilin. Prokuroria kërkoi pezullimin e dënimit për Farrukun e Bulkun duke sjellë në vëmendje se ata pranuan fajësinë, moshën e tyre si dhe rrethanat familjare e shëndetësore. Po ashtu, u kërkua të caktohet dënim plotësues për të pandehurit që të mos ushtrojnë funksione publike për dy vjet.

Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Kllapi evidentoi gjatë konkluzioneve përfundimtare se megjithëse dëmet financiare ishin konstatuar nga dy institucione që ia kishin bërë me dije Bashkisë së Durrësit, pagesat vijuan.

Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve. Ai qëndron në masën e sigurimit personal “arrest shtëpie”.

 Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

(Reporter.al)

Comment

*