SPAK kërkon dënimin e 9 grave të riatdhesuara nga Siria

Tiranë, 23 janar 2023 – Prokuroria e Posaçme paraqiti të martën më 23 janar konkluzionet përfundimtare për nëntë gratë e riatdhesuara na Siria, të cilat akuzohen për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në veprimtari luftarake në një shtet të huaj. Të pandehurat në këtë proces u larguan në drejtim të Sirisë në vitet 2013-2014, duke ndjekur pas bashkëshortët e tyre që shkuan të luftonin fillimisht përkrah Al Nusras dhe më pas për ISIS.

Prokurorja Elida Kaçkini kërkoi deklarimin fajtore të nëntë të pandehurave dhe dënimin e secilës prej tyre me nga 7 vjet heqje lirie. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar u kërkua ulja e një të tretës së masës dhe në përfundim pezullimi i dënimit dhe vendosjen e të pandehurave në shërbim prove për një periudhë 5-vjeçare.

Po ashtu, prokurorja Kaçkini kërkoi masa plotësuese, duke i detyruar të mos shoqërohen me persona të hetuar apo dënuar për vepra të tilla penale, si dhe të mos frekuentojnë ambjente me individë që kanë qëndrime radikale.

Sipas organit të akuzës, të pandehurat i janë bashkuar me vullnet të lirë në vitet 2013-2014 dy organizatave terroriste në Siri, të njohura si të tilla nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Prokurorja Kaçkini ka deklaruar gjatë gjykimit se është e provuar se të pandehurat u janë bashkuar bashkëshortëve duke mbështetur ideologjinë e organizatës terroriste.

(Reporter.al)